Live

Statovci i përgjigjet kritikave të opozitës: Jeni peng i historisë së kaluar politike

12:49 / 12 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Liderët opozitarë janë peng i historisë së kaluar politike, thotë deputetja e listës “Guxo”, Jeta Statovci. Për dallim nga të njëjtit, ajo deklaron se liderët aktualë shtetërorë janë në një mendje për Asociacionin, dialogun e tema të tjera. Sipas saj, pushteti nuk mbështet Asociacion me kompetencë ekzekutive, ndërkohë që opozita e sheh si derë fillestare drejt marrëveshjes finale. Statovci u përgjigjet edhe kritikave karshi Donika Gërvallës që udhëheq ministrinë e Punëve të Jashtme, për çka konsideron se opozita në disa raste ka retorikën e njëjtë me atë të Beogradit.

Deputetja Jeta Statovci në intervistën për KosovaPress shprehet se qëndrimi i Listës “Guxo” është i njëjtë me Lëvizjen Vetëvendosje në çështjen e dialogut dhe temave që prodhohen nga ky proces.

“Ne qeverisim me Ministrinë e Punëve te Jashtme, por po ashtu edhe katër liderët e shtetit, përfshirë këtu presidenten, kryeparlamentarin, kryeministrin dhe ministren e Punëve të Jashtme janë në takime të rregullta javore, ku pjesë e diskutimeve janë padyshim edhe zhvillimet në kuadër të politikës se jashtme. Kështu që, ekziston një dakordancë edhe e mira është që lidershipi është njëzëri karshi këtyre temave sensitive që padyshim kërkojnë unitet në kuadër të kësaj teme. E rëndësishme është që për vite me radhë problematike është trajtuar në nivele të ndryshme teknike, shpeshherë me lëkundjet e veta. Tash me përfshirjen e faktorit ndërkombëtar ka filluar të trajtohet në çështje politike. Ne e dimë qe pala kosovare ka pasur një qasje kontruktive karshi kësaj dhe me pranimin fillestar të planit franko-gjerman, pra janë dërguar komentet dhe ështe konsideruar si një bazë e mirë për diskutim të mëtutjeshëm.”, deklaron Statovci.

Në lidhje me Asociacionin, Statovci komenton edhe kritikat e opozitës, ku shprehet se të njëjtit janë peng i së kaluares së tyre politike.

“Shpeshherë kritikat janë të paqarta, sepse deklaratat e tyre, kemi parë liderë opozitarë të cilët çështjen e Asociacionit e shohin vetëm si një derë fillestare drejt një marrëveshjeje finale. E besa të them të drejtën kjo është një lloj befasie në vete sepse zakonisht opozita tenton të jetë më radikale kur negociohet me një palë tjetër dhe me kërkuese se aq sa mund të ofrojë pozita. E këtë po e shohim edhe në Parlamentin e Serbisë ku jane ende më kërkues në atë se çka mund të ofrohet në tavolinë. Kurse, në disa prej deklaratave të liderëve opozitarë kemi parë që këtë e shohin vetëm si një derë fillestare në kuadër të marrëveshjes finale. E kjo mund të jetë edhe sepse janë peng i historisë së tyre politike dhe nënshkrimeve të 2013-ës dhe 2015-ës.”, shprehet ajo.

Më tej, kryetarja e partisë “Guxo” në Prishtinë thotë se Asociacioni me kompetenca ekzekutive nuk mund të pranohet nga qeveria.

“Është tejet e qartë që nuk mbështet Asociacion me kompetenca ekzekutive, gjithashtu jemi të qartë edhe me idenë se çfarëdo segmentimi, qoftë edhe shoqëror sidomos në baza etnike bie në kundërshtim mbi bazën e frymës që është i ndërtuar shteti i Kosovës e kjo mbi të cilën qëndron Kushtetuta e Kosovës. Ne e dimë që në frymën e kushtetutës tonë kemi etiketimin dhe qëndrojmë mbi normën e një shteti multietnik dhe çfarëdo ndarje mbi baza etnike është në kundërshtim me këtë dhe gjithashtu kemi edhe raste të ndryshme ku nganjëherë krijimi i strukturave paralele, ekzekutive jo domosdoshmërisht ka shkuar në linjë me forcimin e të drejtave te pakicave”, nënvizon Statovci për KosovaPress.

Statovci mbron edhe punën e lideres së partisë që i përket, njëherit ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duke thënë se kritikat ndaj saj nuk kanë bazë.

Ajo thekson se ka përmirësim të dukshëm në politikën e jashtme dhe kjo vihet re vetëm me vizitat e shpeshat të liderëve ndërkombëtarë në Kosovë.

“Ne qoftë se ato janë problematikat më të mëdha që i ka Ministria e Punëve të Jashtme, atëherë qofshin ato. Një ‘twett’ apo një lëshim teknik pa ndonje dëm në aspektin e përgjithshëm. Ne kuadër të qeverive, zakonisht ministritë e Punëve të Jashtme amnistohen nga politika e zhvillimeve ditore, sepse roli i tyre ka të bëjë me përfaqësimin me akterë të ndryshëm. Në përgjithësi në vendet, të cilat janë të zhvilluara me një status të vetëdijës së lartë qoftë edhe politike tentohen që të ruhen në sensin e kredibilitetit, sepse ata duhet të avokojnë në organizata të ndryshme që ne synojmë të anëtarësohemi, gjithashtu edhe me shtete të reja që ne tentojmë të kemi një njohje dhe kjo kërkon një maturi. Ne çka shohim shpesh nga partitë opozitare ka pasur konferenca në raport me çnjohje e që ka qenë një retorikë me atë çfarë flitet në Beograd dhe çka flitet me partitë opozitare në raport me çnjohjet. Kjo ka qenë një risi”, potencon ajo.

Statovci, pjesë e Komisionit parlamentar për Buxhet, flet edhe për koeficientin e pagave në sektorin publik, me ç’rast, thotë se kërkesat e opozitës e thellojnë edhe më tej dallimet me sektorin privat.

“Paga mesatare në sektorin publik është rreth 730 euro, nëse e krahasojmë me sektorin privat 420 euro. Dhe kjo veç është nje diskrepancë, çfarëdo rritje e mëtutjeshme veç do ta thellonte këtë diferencë të sektorit publik dhe privat…. Paga mesatare në sektorin publik është prej më të lartave në rajon dhe kjo e ka rëndësinë e vet kur krahasohet me GDP e vendit. Sepse, në vlera nominale, paga duhet parë edhe me GDP-në e vendit dhe me bruto produktin e vendit se si qëndron. 110 milionë janë futur në ekonomi dhe kjo pritet të amandamentohet rrugës përmes zhvillimit që të ketë edhe nevoja të qytetarëve. Çfarëdo numri tjetër që kanë prezantuar vetëm do e thellonte pagën mesatare në vlerë 900 apo 1000 euro”, vijon ajo.

Aktualisht është në proces zgjedhja e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, proces ky i kontestuar nga shoqria civile për mungesë transaprence, mirëpo deputetja Statovci shton se ende nuk kanë pranuar emrat e të përzgjdhurve për guvernatororë të Kosovës.

Shpërndaje në

U Kopjua