Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të shfrytëzojnë periudhën deri më 31 tetor për të regjistruar automjetet e tyre në targa RKS, në të kundërtën pas kësaj date ata nuk do të mund të qarkullojnë me targat ilegale të lëshuara nga Serbia.
Përmes një video të postuar në Facebook në gjuhën serbe, ministri Sveçla ka thënë se tashmë ka kaluar një muaj qytetarët veçse kanë filluar regjistrimin e tyre
Ai shtoi se procesi dymujor, i cili përfundon më 31 tetor, është mundësia e fundit që të gjithë pronarët që posedojnë mjete me targa ilegale t’i kthejnë ato në targa RKS.
“Ky proces ofron lehtësira të mëdha, duke filluar nga regjistrimi i mjeteve më të vjetra se 10 vjet, si dhe lirimin nga taksa doganore, taksa administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifa për targën, taksën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjeteve. Gjithashtu, nga tani e tutje, ju mund të regjistroni mjetet me targat e regjionit tuaj në të gjitha qendrat për regjistrimin e automjeteve, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit tuaj në Republikën e Kosovës”, ka thënë Sveçla.
Sveçla ka thënë se ministria që ai drejton është e përkushtuar që procesi i regjistrimit në targa RKS të përmbyllet me sukses deri në afatin e paraparë.
“Ju bëjmë thirrje që, pa humbur kohë, të shfrytëzoni këtë mundësi. Pas kësaj date, veturat të cilat posedojnë targat ilegale nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe në pikë kalimet kufitare. Liria e lëvizjes barazia, por edhe sundimi i ligjit në tërë territorin, pa dallim, mbeten prioritet i ynë, andaj, ju ftojmë që deri më 31 tetor, të shfrytëzoni këto lehtësira dhe të bëni kthimin e targave ilegale në targa legale RKS”, ka thënë ai.