Live

Syla për mungesën e pasaportave: Tenderi arsye jo letra, po të ishte LVV në opozitë sot do t’a varroste Sveçlën

17:05 / 09 Janar 2023

Nga Kosova Live

nga Kosova Live

Gazetari dhe analisti Valon Syla, ka thënë për Kosovalive se letrat për pasaportat kosovare tash e 4 muaj mungojnë. Ai pohoi se po të ishte sot Vetëvendosja në opozitë do ta varroste ministrin Sveçla, por pasi që ky është i tyre edhe hezitojnë për Kritika, theksoi Syla.

“Ka kohë që mungon letra për pasaportat kosovare, tash e 4 muaj me sa kam informata. Në sy të parë kjo po duket sikur një jo kompetencë e Qeverisë Kurti, por në esencë ky problem shpalos logjikën dhe modelin e kësaj Qeverie, e cila duke u munduar t’i gjejë njerëzit e vet që t’i marrin tenderat, dështojnë dhe i vonojnë këto, duke mos dashur që ti angazhojnë firmat kompetente, të cilat me gjasë nuk janë në listën që përkrahën Vetëvendosjen. Dhe, duke u munduar t’i gjejnë firmat e reja, Qeveria Kurti dështon dhe vonohet”, tha analisti Syla.

Ai nënvizoi se Qeveria po del me deklarata të rreme duke i hedhur hi syve të publikut në rastin e pasaportave.

“Po të ishte Vetëvendosja në opozitë, do ta varroste sot ministrin Sveçla. Por ai është i tyre, dhe ata hezitojnë sot për vetkritikën. Ky është dështim i një shërbimi që i takon çdo qytetari me kushtetutë. Andaj edhe dalin me deklarata me rrena, për t’i hedh hi syve publikut”, pohoi ai.

Syla fajin për rastin e Shtërpcës e ka hedhur tek politika e Kurtit dhe Vuçiqit, ku tha që këta të fundit nxitën tensione ndëretnike.” Ngjarja në Shtërpcë, duket se filloi aksidentalisht nga një grup njerëzish të nxitur nga retorika politike, qofshin ata  nga ana serbe, apo shqiptare, e cila më pas u paketua s’i nxitje dhune kolektive e shqiptarëve ndaj serbëve. Fakti që nëna e viktimës së 11 vjeçarit, i plagosur nga rikosheti i plumbit, i ndryshoi deklaratat, tregon se ajo ka pasur presion nga politika që një incident lokal, t’a shndërroj në një incident kolektiv shqiptar ndaj serbëve. Por faji këtu vjen nga politika edhe Qeveria e Vuçiqit edhe ajo e Kurtit që nxitën tensione ndëretnike, njëri me politika dënimi e të tjerë me politika e barrikadave dhe bllokimit. Pastaj, kjo në terren reflektohet kështu, me incidente ku kur takohen grupet etnike, nga presioni politik sillen në panik, njëra anë bllokon dhe tjetra shtënë në ajër për t’i zmbrapsur… dhe e gjithë kjo bëhet etnike, politike”, tha ai. /Kosovalive.net/

Shpërndaje në

U Kopjua