Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar ndaj ndalesës së fjalës që qeveria i bëri kryetarit të Reçakut, Adem Ramadani në përvjetorin e “Masakrës së Reçakut”
Sipas Tahirit, mohimi i fjalës nuk është çështje protokolli, por sipas tij ka të bëjë me mentalitetin e këtij pushteti, që sipas Tahirit kurrë nuk do të arrijë të mveshet me lavdinë e UÇK-së.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës përfaqëson vetëdijen më të lartë kombëtare të popullit të Kosovës, pjesë e të cilës vetëdije janë ish udhëheqësit e saj. Mohimi i fjalimeve ku përmenden udhëheqësit e UÇK-së, nuk është çështje e thjeshtë protokolli. Është çështje mentaliteti. Sot, një mentalitet i tillë është ngjitur në maje të pushtetit. Por pavarësisht se sot ky mentalitet është mveshur me pushtet, ai s’do arrijë të mveshet kurrë me lavdinë e ish pjesëtarëve e udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I turpshëm, mohimi i fjalës së kryetarit të Reçakut. Segregacion i pastër i pushtetit ndaj historisë.” – ka shkruar Tahiri në llogarinë e tij në Facebook.