Live

Takimet e Osmanit e Kurtit në Paris nën hijën e status quo-së në Veri të Republikës së Kosovës

12:11 / 11 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Shkruan: Ridvan Berisha


Presidentja Osmani e kryeministri Kurti po vazhdojnë vizitën zyrtare në Francë, ku në margjina të Forimit të Paqes në Paris, zhvilluan një rund tjetër takimi sot me Josep Borrell, shefin për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. Ndërsa shefat e shtetit ndodhen atje në të njëjtën kohë po përballen me një qëndrim direkt të përsëritur edhe dje nga ambasadori amerikan në Kosovë Hovenier, që Qeveria ta anulojë vendimin për targat duke e shtyrë atë edhe për disa muaj e po kështu të mos vonohet për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Ajo çfarë deklaruan dje presidentja Osmani e kryeministri Kurti pas takimit që e realizuan me presidentin francez, Macron, ishte se “Propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme në dialogun Kosovë Serbi”.

Osmani e Kurti nuk dhanë më tepër hollësi në komunikatën që e lëshuan përveç që e falenderuan presidentin francez për dinamizimin e procesit të dialogut.

Kryeministri Kurti edhe për sa kohë që ishte në Kosovë e po ashtu edhe presidentja Osmani përpara nisjes së fazës së parë të vendimit për targat, që është masa e qortimit, kanë theksuar se ky është një vendim i ligjshëm i shtetit të Kosovës që ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Por, sot gjendja në terren, përkatësisht në Veriun e shtetit flet se, atje më nuk funksionojnë institucionet e sistemit nga një proces bojkotimi kolektiv i organizuar i serbëve, si kundërpërgjigje ndaj masave të Qeverisë së Kosovës. E këtë, kryeministri Kurti e ka quajtur vetëm maskim sepse në esencë serbët në Veri nën trysninë dhe kërcënimet e Beogradit po e dëshirojnë ndarjen e Kosovës ose një lloj pushteti të tretë, që quhet Zajednicë, për të cilën dikur në opozitë Kurti, ishte kritiku më i ashpër i saj. 

Opozita në Kosovë ka shprehur shqetësimin se kryeministri Kurti po vepron krye në vete dhe se mospërfillja e këshillave amerikane e evropiane në esencë sipas tyre, po e përmbysë një proces paqeje të ndërtuar me vite, duke e kthyer Kosovën kështu prapa, dhe, duke krijuar një klimë të rrezikshme për sigurinë, stabilitetin e paqen e po kështu në të njëjtën kohë duke i mundësuar Serbisë avantazhin në bisedime. 

Pyetjet logjike që shtrohen tani janë se, a ekziston më plani franko-gjerman si bazë për bisedime të mëtejme midis Kosovës dhe Serbisë? A do të ketë dinamizim të procesit të bisedimeve sipas kalendarit të parashikuar franko gjerman e edhe amerikan për marrëveshjen finale kur sot në veri të shtetit është krijuar një moment padëgjueshmërie kolektive e serbëve, vakum institucional? Si do të ndikoj realisht kjo situatë e krijuar, do të ketë status quo apo do të përfshihemi në bisedime me opsione që e mundësojnë një Ahtisari plus, një pushtet të tretë për serbët në Kosovë, si garancë për ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar, kulturor e fetar?

Në të gjitha këto pyetje e të tjera që mund të jenë natyrisht si derivat i situatës së përshkallëzuar të sigurisë sot në Veri të shtetit, në gjendjen e tashme presidentja, kryeparlamentari e kryeministri, e kanë një përgjigjje të thjeshtë, të prerë.  Po e zbatojmë rendin, ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës në mbrojtje të sovranitetit.

Kritikët e kësaj mazhorance në Kosovë kanë drojën se aleatët mund ta lënë në “baltë” Qeverinë, kur është fjala për menaxhimin e situatës në veri, nëse kjo e fundit vazhdon të shpërfillë kërkesat taksative amerikane e evropiane, që janë të qarta, “anulojeni vendimin për targat dhe formojeni asociacionin”.
Procesi në të vërtetë ka shumë pikëpyetje. Pikëpyetje kishte edhe më herët ndërsa po bisedonin qeveritë e kaluara nën trendin e një progresi megjithatë të ngadalshëm të rezultatit në këto bisedime. Sidoqoftë, këto bisedime nuk i dhanë shans Serbisë që të involvohet kaq brutalisht në organizimin, ndërhyrjen, frikësimin, kërcënimin dhe shantazhimin e serbëve kosovarë deri në përmasat që të bojkotojnë kolektivisht institucionet e Republikës së Kosovës. Dhe, çfarë po bënë tani bashkësia ndërkombëtare?! Po e drejton gishtin më shumë nga Kosova duke e qortuar pse nuk po përfillë këshillat e tyre.

Kush e zotëron sot terrenin dhe ndikimin në Veri të shtetit? Natyrisht se direkt Serbia! Ekziston rreziku real që kjo të shndërrohet në mundësi për fuqizimin e Rezolutës 1244 për një prani të forcave ndërkombëtare në Veri, e ky do të përfaqësonte politikisht një dëm serioz për konsolidimin dhe shtrirjen e plotë të sovranitetit të Kosovës.

Serbia tash e një shekull dihet se çfarë do nga Kosova, territorin.

Ky lidership i tanishëm në krye të institucioneve të Kosovës, ka të ngjarë që e ka zgjedhur rrugën pa krye, që betejën politike për marrëveshjen finale ta bëjë i vetem e pa aleatët. Nëse kjo apriori qëndron atëherë retorika ordinere se Kosova ekziston me miqtë e saj nuk mund të lexohet ndryshe pos si një nevojë e zorit për t’u strehuar pranë çadrave të tyre vetëm atëherë kur mbeten të ngujuar, pa shtegdalje.

Me dhe pa Albinin, Vjosën e këdo tjetër, SHBA-të në fund të fundit besojnë në rrëfimin për demokracinë në Kosovë, në vlerat evropiane, një investim ky direkt afatgjatë i tyre bashkë me aleatët. Kush i rrezikon këto raporte – do të ekzistojë, do të jetojë por, vetëm si memorie mbase e dëmshme për Kosovën.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...