Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje lidhur me takimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçák.
Sipas njoftimit të ZKM-së, ata kanë folur edhe për opsionet për konvertimin e suksesshëm të të gjitha targave ilegale, në ato legale, si dhe mbi rrugën përpara në procesin e dialogut.
“Në këtë takim, u diskutua mbi rrugën përpara në procesin e dialogut. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi rëndësinë e fokusimit të bisedimeve në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se nuk duhet të lejojmë shpërqendrime të qëllimshme nga bisedimet për normalizimin e plotë nga veprime që synojnë përshkallëzimin në terren”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë i Qeverisë:
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, zhvilloi takime dypalëshe në Bruksel me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák.
Në këtë takim, u diskutua mbi rrugën përpara në procesin e dialogut. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi rëndësinë e fokusimit të bisedimeve në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se nuk duhet të lejojmë shpërqendrime të qëllimshme nga bisedimet për normalizimin e plotë nga veprime që synojnë përshkallëzimin në terren.
Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut parimor dhe jemi të interesuar të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë. Zëvendëskryeministri Bislimi përsëriti interesimin e Kosovës për të vazhduar me takime të rregullta në Bruksel, për elementet e normalizimit të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër.
Palët diskutuan gjithashtu dhe opsionet për konvertimin e suksesshëm të të gjitha targave ilegale, në ato legale.