Televizioni publik gjerman i ka kushtuar një kronikë nisjes së procesit të gjykimit në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në veçanti, ky televizion ka folur për ish-presidentin Hashim Thaçi. Televizioni në kronikën e tij tregon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi në Kosovë konsiderohet si heronj.
“Një hero i akuzuar për krime lufte”, kështu nis kronika e televizionit gjerman.
Ndër të tjera, kjo kronikë raporton edhe për bilbordet e shumta që gjenden kudo nëpër rrugët e Kosovës, me mbishkrimet “Heronj të luftës dhe paqes”.
Televizioni në këtë kronikë ka raportuar edhe për marshin në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, i cili u mbajt të dielën e 2 prillit në Prishtinë nën organizimin e iniciativës “Liria ka emër”.
Po ashtu, ky televizion ka raportuar edhe për marshin mbështetës që u mbajt në ditën e nisjes së gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Den Hage, ku rreth 6 mijë shqiptarë që jetojnë në mërgim u mblodhën në mbështetje të tyre.