Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka kërkuar anulimin e certifikatës së Zyrtares Përgjegjëse për Prokurim të Komunës së Podujevës, Ganimete Mahmuti, për shkelje gjatë procedurës së prokurimit për furnizimin me tabela digjitale mësimore. Kërkesa u bë për shkak të mosdërgimit të kërkesës për zgjatjen e validitetit të ofertës tek Operatori Ekonomik (OE) përkatës. Por, Bordi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) vendosi të mos e penalizojë ashpër zyrtaren, duke i dhënë vetëm një “vërejtje me shkrim”, shkruan Demokracia.com.
Vendimi i OSHP-së, të cilin e ka parë Demokracia.com u bazua në nenin 91.1 pika b të Rregullores për Prokurim Publik, ku për shkelje të tilla kërkohet anulimi i certifikatës. Shkelja erdhi gjatë prokurimit për furnizimin me tabela digjitale, me një vlerë prej 300,000 euro. Në këtë aktivitet, Komuna e Podujevës shpalli fitues OE “Bak Ing” SHPK, por u pasua me ankesë nga OE “Solvit” SHPK, e cila pretendoi shkelje procedurale.
Komisioni shqyrtues i krijuar nga KRPP-ja, konstatoi se gjatë procesit kishte pasur probleme teknike me komunikimin mes Autoritetit Kontraktues dhe operatorëve ekonomikë. Kjo rezultoi që disa e-maile, përfshirë kërkesën për zgjatjen e ofertave, të mos mbërrinin tek OE-të përkatës.
Zyrtarja Ganimete Mahmuti, e cila në atë kohë kishte marrë detyrën përkohësisht pasi paraardhësi kishte dalë në pension, ka sqaruar se gabimi ndodhi për shkak të volumit të madh të punës dhe problemeve teknike me serverin. Ajo kishte qenë e autorizuar për këtë detyrë nga gushti deri në fund të dhjetorit 2023, ndërsa në fillim të vitit 2024 kishte qenë në pushim pa pagesë për shkaqe shëndetësore.
OSHP-ja kishte kërkuar pezullimin e certifikatës së saj për katër muaj për shkak të shkeljeve të evidentuara, duke e konsideruar mosdërgimin e kërkesës për zgjatjen e ofertës si një shkelje të rëndë. Mirëpo, Bordi i KRPP-së duke marrë parasysh edhe periudhën e gjatë të procesit të ankimimit dhe përfshirjen e më shumë se një zyrtari përgjegjës, vendosi që masa më e drejtë do të ishte një “vërejtje me shkrim”.
Ky vendim është marrë pas një trajtimi të detajuar të rrethanave dhe dokumentacionit të paraqitur nga zyrtarja e Komunës së Podujevës, e cila e ka arsyetuar situatën për shkak të problematikave teknike dhe të ngarkesës në punë gjatë periudhës kritike për prokurimin.
Më poshtë mund të shihni të gjithë vendimin e KRPP-së me shkeljet e bëra nga zyrtarja e prokurimit të Podujevës, e cila mori dënim të butë nga KRPP-ja.