Një qytetar i Kosovës me emrin Tefik Sejdiu është arrestuar të dielën në Serbi, gjersa ishte duke pritur në pikë kalimin kufitar mes Serbisë dhe Hungarisë, por i njëjti është liruar pasi autoritetet serbe e kishin ngatërruar 25-vjeçarin me një person tjetër.
Familjarët e Sejdiut kanë thënë për Klan Kosova se ai u lirua pasi dha deklaratë dhe u vërtetua se nuk ishte personi që kërkohej nga policia serbe.
Gjatë ditës një qytetar me emrin, Blerton Ademi ka shkruar në profilin e tij në Facebook se bëhet fjalë për një person të quajtur Tefik Sejdiu, që siç njoftoi ai, është arrestuar nga agjentë të policisë serbe në kufirin Serbi – Hungari.
Ish-kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar pas raportimeve se autoritetet serbe e arrestuan e më pas e liruan 25-vjecarin nga Kosova, Tefik Sejdiu, të cilin policia serbe e kishte ngatërruar me një person tjetër.
Haradinaj-Stublla, përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, tha se Qeveria e Kosovës duhet ta ngrisë çështjen e arrestimeve të shqiptarëve si temë urgjente në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Serbia NUK do të duhej të lejohet të shtiret më si shtet bashkëpunues rajonal, sepse vazhdon të mos i respektojë marrëveshjet e arritura përmes Procesit të Berlinit – specifikisht atë për lëvizje të lirë në WB6 nënshkruar vetëm disa muaj më parë!”, ka shkruar ajo.
Ish-ministrja tha se Serbia duhet të japë përgjegjësi në dialog për listat e fletëarresteve të lëshuara kundër shqiptarëve të Kosovës, duke përmendur edhe rastin e Nezir Mehmetajt, një ish-luftëtar i UÇK-së i cili po mbahet i burgosur që nga 3 janari i vitit 2020.
“Kosova duhet t’ia dëshmojë botës (me argumente faktike sidomos për arrestimet e vazhdueshme që bën, dhe mbajtjen ilegale të Nezir Mehmetajt tash e sa vjet) se Serbia vazhdon të gënjejë Amerikën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, etj. duke nënshkruar marrëveshje sa për ‘sy e faqe’ e pastaj duke shkelë çdo shkronjë të saj”, përfundoi ajo.