Live

Ukraina bën thirrje për një samit të NATO-s

23:16 / 15 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka bërë thirrje për një samit të NATO-s që të ndqalohen sulmet ruse. Ai ka ripërsëritur kërkesën që të dërgohen aeroplanë ushtarakë në Ukrainë.

“Ukraina rikonfirmon solidaritetin e plotë me Poloninë dhe qëndron gati për të ofruar çdo përkrahje të nevojshme. Reagimi kolektiv ndaj veprimeve të Rusisë duhet të jetë i fortë dhe parimor. Ndër veprimet e menjëhershme që mund të ndërmirren: një samit i NATO-s me pjesëmarrje të Ukrainës për të bërë planifikimin e veprimeve të përbashkëta që do të detyronin Rusinë të ndryshonte kursin e përshkallëzimit, t’i ofrohen Ukrainës aeroplanë luftarakë modern si F-15 dhe F-16, si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, në mënyrë që mund të ndalen sulmet raketore ruse. Sot, mbrojtja e qiejve të Ukrainës nënkupton mbrojtje të NATO-s”, ka shkruar Kuleba në Twitter.

Kuleba ka thënë se Ukraina dëshiron të kontribuojë në sigurinë kolektive Euro-Atlantike dhe të mbrojë krahun lindor të NATO-s, ndonëse nuk është pjesë e aleancës.

“Me gjitha pajisjet e nevojshme, ne do të jemi në gjendje të mbrojmë si qiejt e Ukrainës ashtu edhe të fqinjëve tanë”, ka shkruar Kuleba.

Ndërkohë raportimet nga Rusia, se ato që shkaktuan shpërthimin në Poloni ishin mbetje raketa ukrainase të mbrojtjes ajrore, i ka quajtur propagandë.

“Rusia tash po promovon teori konspirative se ishte një raketa e mbrojtjes ajrore të Ukrainës që ka rënë në territor të Polonisë. Kjo nuk është e vërtetë. Asnjëri nuk duhet t’u besojë këtyre propagandave ruse. Ky mësim është dashur të merrej shumë kohë më parë”, ka shkruar Kuleba.

Shpërndaje në

U Kopjua