Live

Varhelyi: Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave

15:00 / 12 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Kolegji i Komisionarëve Evropianë miratoi paketën vjetore të zgjerimit, ashtu si edhe raportet e progresit për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

Në paketën e zgjerimit, Komisioni Evropian vë fokusin në fushat që lidhen me procesin e integrimeve evropiane, siç janë: sundimi i ligjit, reformat e administratës dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Vend të veçantë zënë, po ashtu, ndikimet e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Paketa përmban edhe raportime për implementimin e planit evropian për investime në rajon, pastaj për situatën në sektorin e energjisë, për agjendën e gjelbër evropiane, për planet për prokurim të përbashkët të energjisë dhe për përshtatjen e këtyre vendeve me politikat e BE-së, sidomos në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Kosova, në këtë raport, vlerësohet për disa përparime që ka bërë në fusha të ndryshme, por prej saj kërkohet më shumë punë dhe progres në zbatimin e reformave.

Kosova, po ashtu, vlerësohet për përshtatjen me qëndrimet e BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Përsëritet se Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Në raport theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.

Gjatë fjalimit, edhe komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.

Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, raporti kujton se ka pasur takime të rregullta në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa përmend edhe takimin më 18 gusht midis liderëve të të dyja shteteve.

Shpërndaje në

U Kopjua