Në pjesën veriore të Kalifornisë, banorët e Luginës Qendrore po përgatiten për një tjetër valë stuhish të fuqishme këtë javë. Reshjet e dendura natën e ndërrimit të viteve shkaktuan përmbytje, duke i marrë jetën një personi dhe detyruar evakuimin e banorëve në zonat e ulëta. Shërbimi Kombëtar i Motit thotë se pjesa veriore u godit nga një sistem i fuqishëm atmosferik me reshje shiu në luginë dhe dëborë në male.
Reshje të tjera të fuqishme pritet të godasin pjesën veriore të Kalifornisë, duke rënduar situatën në zonat e përmbytura nga stuhia e disa ditëve më parë. Fenomeni i njohur si “lum atmosferik” solli rreth 13 centimetra shi në Luginën e Sakramentos dhe 30 centimetra borë në male, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.
Të dielën, rritja e nivelit të ujërave bëri që zyrtarët lokalë të urdhëronin evakuimin e banorëve pranë lumit Cosumnes në pjesën jugore të Sakramentos. Gjithashtu mbi 1 mijë të burgosur u evakuuan nga zona dhe u dërguan në një objekt tjetër.
E mërkura dhe e enjtja pritet të sjellin një tjetër sistem të fuqishëm atmosferik me rreth 8 centimetra shi në luginë dhe afro një metër borë në male. Sipas parashikimeve, erërat do të kenë një shpejtësi prej rreth 80 kilometrash në orë.
Stuhitë pritet të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës. Sinoptika parashikon reshje dëbore në male dhe shi në rrafshnaltën veriore të Kalifornisë.
Reshjet e shiut në qytetin San Françisko arritën në 13.87 centimetra natën e Vitit të Ri, rasti i dytë me reshjet më të mëdha që nga përmbytjet e nëntorit të vitit 1994, sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik.
Ekipet e shpëtimit ndihmuan shumë shoferë të bllokuar në autostrada natën e Vitit të Ri, ndërsa u gjet një viktimë në një makinë të zhytur në ujërat e rrëmbyer.
Energjia elektrike është rikthyer për pjesën dërrmuese të rreth 150 mijë banorëve që humbën rrymën për shkak të stuhisë. Megjithatë, shiu ishte i nevojshëm për Kaliforninë e goditur nga thatësira e viteve të fundit. Shumica e rezervuarve kryesorë të atij shteti ishin në nivele historikisht të ulëta./VOA