Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se gjatë mandatit të tij janë miratuar katër projektligje dhe 20 akte-nënligjore. Sipas tij, punë e madhe është bërë edhe në sferën infrastrukturore dhe në furnizim me barna.
Këto komente ai i bëri gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me strategjinë legjislative të MSH-së dhe zhvillimet në sektorin e shëndetësisë. Vitia ka deklaruar se janë afër fillimit të zbatimit të Ligjit për çmimet e barnave.
“Është rrugës për të nisur zbatimin ligji për çmimet e barnave. Ka pasur sfida por edhe vëmendjen tonë në çdo hap. Në legjislacion dhe infrastrukturor, furnizim me barna dhe resurse njerëzore, janë disa masa që janë ndërmarrë këtë mandat. Gjithashtu janë proceduar katër ligje dhe 20 akte-nënligjore. Ligji për produktet medicionale, Ligji për Fertilizim, Ligji për detyrime shëndetësore dhe Ligji për Shëndetësi. Janë gjithashtu edhe 20 akte-nënligjore që janë shumë të rëndësishme në pjesën e reformave”, deklaroi Vitia.
Ai foli edhe për mosvotimin e ligjit për fertilizim ku tha se me moskalimin e tij çiftet harxhojnë mijëra euro.
“Ligji për IVF nuk po kalon në Kuvend në lexim të dytë që 1 vit e gjysmë por është e rëndësishme për qytetarët të cilët harxhojnë miliona euro në spitalet private. Andaj nga këtu u bëj thirrje deputetëve që ta përkrahin këtë ligj”.
Ministri Vitia ka folur edhe për investimet nëpër klinikat e QKUK-së, duke thënë se investimet kanë ndikuar direkt në jetën e pacientëve, raporton EO.
“Në Klinikën e Onkologjisë kemi investuar në disa fusha si aparaturë, barna esencial e infrastrukturë. Lista me barna esenciale është rritur mbi 5 milionë euro”.
“5.5 milionë euro janë investime në Gjinekologji, me nga dy shtretër në dhoma, janë vendosur klimatizim dhe për herë të parë ëhtë bërë digjitalizimi nëpër ambulanca specialistike. Në Klinikën e Urologjisë, kemi bërë investuar 1.2 milion euro, ku për herë të parë është inslatualuar thirrja për infermierë dhe është riorganizuar edhe sallat operative, ku nga dy salla operative tani janë katër sosh”, u shpreh Vitia.