Votuesit nga diaspora kanë edhe 4 ditë kohë të votojnë për zgjedhjet e 6 tetorit. Nga 35 mijë aplikues për të votuar për zgjedhjet e parakohshme, deri tani e kanë përfunduar këtë proces rreth 2000 persona, votat e të cilëve janë pranuar nga KQZ-ja, por të njëjtat nuk janë duke qëndruar në hapësirat e këtij organi. Këto pako të votuesve të mërgatës kanë zënë vend në Ministrinë e Infrastrukturës për shkak të, siç thotë KQZ-ja, mungesës së hapësirës në këtë institucion, shkruan Gazeta ‘Zëri’.
Mazllum Baraliu, ish-kryetar i Komisionit Qendror të zgjedhjeve, është shprehur për “Zërin” se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve posedon hapësira në të cilat mund t’i ruajë votat, që kanë ardhur nga diaspora. Prandaj, ai thekson se vendet në të cilat duhet të ruhen këto vota duhet të jenë të panjohura për publikun.
“KQZ-ja ka objekte tjera, ka edhe depon për ruajtjen e materialit zgjedhor, të cilën ka mundur ta përdorë, me fjalë të tjera ka objekte të veta, të cilat do të duhej të ishin të panjohura për opinionin publik për shkaqe sigurie. Ato vota është dashur të dërgohen diku tjetër dhe jo në Ministri të Infrastrukturës ose në ambiente të cilat nuk janë paraparë për ruajtjen e materialit zgjedhor”, ka deklaruar Baraliu për “Zërin”.
Kësisoj Baraliu thekson se ato vota nuk janë të sigurta dhe do të duhej menjëherë të largoheshin nga hapësirat e objektit të Ministrisë, duke shtuar se votat e diasporës janë të vlefshme sa të qytetarëve rezidentë të Kosovës, prandaj ai thërret që ato të trajtohen si të tilla.
“Fletëvotimet e diasporës janë fletëvotime të vlefshme sikurse edhe ato të qytetarëve të Kosovës dhe do të duhej të ruheshin në kushte të njëjta, të barabarta dhe të sigurta. Këto vota vendin e kanë nëpër hapësira të KQZ-së dhe jo në ministri. Urgjentisht do të duhej që KQZ-ja me ndihmën e Policisë t’i bartë këto vota në vende të sigurta. Ministria e Infrastrukturës ka tjera detyra dhe jo të merret me kryerjen e punëve dhe kompetencave që ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, ka potencuar ai.