Live

Vrasja e trefishtë në Deçan, prokuroria: Jemi afër zbulimit të autorit

13:43 / 13 Mars 2023

Nga Kosova Live

Një mal me paqartësi vazhdojnë ta përcjellin një prej vrasjeve më të rënda në Kosovën e pasluftës, atë të trefishtë në Deçan e cila ndodhi në fund të vitit 2021. Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, i ka thënë Dukagjinit se është afër finalizimit të këtij rasti dhe se të gjeturat do t’i bëjnë publike në një konferencë për media, brenda pak javësh. Nga ana tjetër, avokatët e katër të dyshuarve të cilët prej më shumë se një viti po qëndrojnë në paraburgim, thonë se Prokuroria nuk u ka dhënë asnjë informacion.

Prokuroria Themelore e Pejës pretendon se është afër zbulimit të autorit të një prej vrasjeve më të rënda në Kosovën e pasluftës.

Prokurorja Sahide Gashi i ka thënë televizionit Dukagjini përmes telefonit, se janë në fazën finale të mbledhjes së provave për këtë vrasje që ka ndodhur në Deçan në fund të vitit 2021.

“Po jemi në fazë finale. Krejt i kemi mbledhë, të gjitha provat i kemi siguruar, të gjithat provat që i kemi kërkuar i kemi siguruar dhe jemi në fazë finale. Për të gjitha çështjet, do të jeni të informuar me kohë”, ka thënë Sahide Gashi – Prokurore.

Prokuroria ka planifikuar të organizojë brenda pak javësh një konferencë, ku do të prezantohen të gjitha të gjeturat për vrasjen e shoferit Gani Gjokaj dhe nxënësve Ledion Hamzaj e Gentiana Mustafaj.

Mes këtyre provave është edhe ekspertiza zvicerane për një predhë plumbi, e cila ishte gjetur në veturën e njërit prej të dyshuarve.

Në paraburgim, prej më shumë se një muaji po qëndrojnë Halim Mehmetaj dhe djemtë e tij, Malësor, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj.

Asnjëri nga avokatët e të pandehurve, nuk kanë pranuar të flasin para kamerës.

Megjithatë, avokati Sylë Lokaj, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se akoma nuk ka pranuar asnjë informacion nga Prokuroria rreth rastit.

“Përkundër faktit se ka kaluar më tepër se 14 muaj nga dita kur kanë filluar hetimet, e që i mbrojturi im ndodhet në paraburgim, Prokurori i Shtetit nuk na ka dorëzuar asnjë provë, mbi të bazat e të cilave e bazon dyshimin se i mbrojturi im e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet”, ka deklaruar Sylë Lokaj – Avokat i Kreshnik Mehmetaj.

Që nga fillimi, rasti i vrasjes së trefishtë në Deçan, ka qenë një sfidë për organet e drejtësisë.

Deri më tani, janë dëgjuar vetëm dëshmitarët e Prokurorisë dhe gjithçka rreth vazhdimësisë së këtij rasti do të zbulohet pas konferencës së paralajmëruar të Themelores së Pejës./RTV Dukgjini/

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...