Live

Vuçiq tenton t’i impresionojë serbët: Nesër kalon iniciativa e Prishtinës në KiE, më 10 maj e çojnë draftin në Kushtetuese

13:03 / 15 Prill 2024

Nga Kosova Live

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “Prishtina ka përgatitur një truk” derisa ka folur për zhvillimet e nesërme në Strasbourg ku do të ketë debat rreth rekomandimit të raportueses Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE. Vuçiq ka tentuar ta impresionojë publikun serb në një paraqitje në televizionin publik duke tentuar të tregojë se di edhe informacione “sekrete”.

Vuçiq tha se “nisma e Prishtinës” do të kalojë nesër në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe se beteja kryesore me shumë gjasa do të zhvillohet më 16 maj.

Sipas tij, në Kosovë “më 10 maj në Kosovë do të thonë se do ta dërgojnë në Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit qe e kanë propozuar evropianët”.

Sipas tij, kjo do të bëhet “për të thënë se ka nisur procesi rreth Asociacionit e në fakt s’ka nisur asgjë”.

Vuçiq shtoi se më pas ndërkombëtarët do të thonë se kjo është arsyeja se pse po votojnë pro anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Tani kanë krijuar një truk të ri dhe unë dua t’i njoftojë qytetarët për të – e kjo është që më 10 maj do të thonë se do ta çojnë aktin (draft-statutin e Asociacionit)  që evropianët e kanë propozuar  në Gjykatën Kushtetuese, për ta vlerësuar kushtetutshmërinë, për të thënë se ka nisur procesi rreth Asociacionit e në fakt s’ka nisur asgjë. Pastaj (ndërkombëtarët),do të na thonë se kjo është arsyeja që ne po votojmë për Kosovën në Këshillin e Evropë. Pra, kjo është ajo që do të ndodhë”, tha ai.

Shpërndaje në

U Kopjua