Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, duke folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se shteti i Kosovës është humbës në këtë rast, pasi që sipas tij nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare.
“Kosova e kishte mundësinë të përfitojë në dialog, por tash sesi është udhëheqë është humbëse, pasi i gjithë procesi i dialogut në vend që të kishte një përfundim marrëveshje përfundimtare tash është shndërruar në një marrëveshje për implementim të Zajednicës edhe këtij hapi të Vetëmenaxhimit për komunitetin serb”, është shprehur ai.
Ai ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se për implementimin e marrëveshjes së arritur në Ohër po ia vendos barrën krejtësisht Kosovës.
“Esenca është tek gjuha që po e përdor Kurti, prapë po shkon në disfavor të Kosovës, edhe presionin edhe mekanizimin për implementimin e marrëveshjes e vendos barrën krejtësisht mbi Kosovën”, ka thënë ai.
Po ashtu, sipas tij, janë mashtruar qytetarët e Kosovës nga ana e Kurtit pasi ai kishte thënë se nuk ka Zajednicë.
“Por Vetëmenaxhimi është përtej, dallon Vetëmenaxhimi prej Zajednicës, kjo e fundit është gjithqysh. Tash Kurti e ka lidh komunitetin serb në Vetëmenaxhim”, ka thënë ai.
Ndërkaq, sa i përket Vetëmenaxhimit, ai ka thënë se figurativisht është ndërtuar një pushtet i ri, dhe sipas tij, nga kjo nuk ka kush të shpëtojë, kushdo që vjen në kryeministër e ka detyrë pas tij.