Live

Kreu i Bordit të ZRRE-së: Elektroseveri po i zbaton ligjet e Kosovës

18:43 / 13 Prill 2024

Nga Kosova Live

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë nuk ka ende informacione se nga cilët operatorë furnizohet Elektroseveri për shpërndarjen e energjisë elektrike në veri të Kosovës, thotë Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRRE-së, për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, kjo kompani, e cila është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS, është duke i respektuar ligjet e Kosovës, thekson ai.

Siç e dini, Elektroseveri është licencuar nga ana e ZRRE-së si furnizues komercial dhe, si i tillë, ka të drejtë t’i furnizojë këta konsumatorë përmes çmimeve të tregut me shumicë. Meqenëse është i derregulluar, kudo që e gjen energjinë ekonomikisht më të favorshme, ai ka të drejtë ta blejë sasinë e nevojshme dhe t’i furnizojë konsumatorët me çmime të parregulluara. Për momentin, nuk e di ende se ku furnizohet me shumicë.

Mirëpo, duhet theksuar se Elektroseveri e ka obligim që t’i paguajë tarifat e shfrytëzimit të rrjetit për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës, (KOSTT), dhe për Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).

Ndërsa, tarifat me pakicë që i paguajnë konsumatorët, ai [Elektroseveri], sipas licencës, ka të drejtë t’i përcaktojë me çmime të tregut, apo të propozojë çmime që konsideron se janë të arsyeshme.

Por, siç e kemi theksuar edhe në licencë, në rast se kemi çrregullim të tregut të energjisë, ZRRE-ja e ka për obligim të reagojë”, ka thënë Fejzullahu.

Nga qershori i vitit 2022, Elektroseveri ka marrë licencën nga ZRRE-ja për furnizimin me energji elektrike të katër komunave me shumicë serbe në veri – Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok – dhe për faturimin e qytetarëve atje.

Këta të fundit, që nga paslufta, nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar. Për një kohë, ajo u është faturuar qytetarëve të pjesëve të tjera të Kosovës, e pastaj institucioneve.

Elektroseveri ka filluar shpërndarjen e faturave në veri nga fundi i shkurtit.

Shpërndaje në

U Kopjua