Live

Kurti flet sërish për zgjedhje të parakohshme: Nuk u bë në këtë pranverë, ta shohim çka do të sjellë vjeshta e ardhshme e dimri

08:01 / 07 Qershor 2024

Nga Kosova Live

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sërish për gatishmërinë e pushtetit për zgjedhje të parakohshme.

Kurti tha se a do të ketë zgjedhje në vjeshtë apo dimër varet nga ndonjë dakordim që mund të arrihet me partitë opozitare, teksa foli për ftesën për takim ditë më parë, të cilën e pranoi vetëm Partia Demokratike e Kosovës, përcjell gazeta online Reporteri.net.

“Përderisa për zgjedhjet lokale dihet që afati është në vjeshtën e vitit të ardhshëm, për zgjedhjet parlamentare mund të jetë më herët, do të mund të jenë në vjeshtë ose në dimër, varësisht se a do të mund të ketë ndonjë dakordim me opozitën aktuale që të bëhet caktimi i muajit për zgjedhjet e reja. Unë tashmë ndodhem në vitin e fundit të këtij mandati dhe kanë ngelur edhe pak muaj, andaj edhe pata shprehur gatishmërinë që në njërën anë t’i kalojmë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë të rëndësishme pavarësisht partive politike, dhe në anën tjetër të caktojmë datën që do të ishte e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. Nuk u bë në këtë pranverë, ta shohim çka do të sjellë vjeshta e ardhshme e dimri”, tha Kurti në Tv Kamenica.

As ftesa për darka nga kreu i VV-së, Albin Kurti e as ftesat e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, nuk kryen  punë për dy partitë opozitare, LDK-në e AAK-në të cilët kërkuan fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Kurti, në mënyrë që pastaj vendi të shkojë në zgjedhje.

Në anën tjetër PDK pati kërkesë për shpërndarje të Kuvendit, iniciativë kjo që dështoi.

Pas takimit që kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pasur me kryeministrin Albin Kurti, partia më e madhe opozitare kërkoi shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës me marrëveshje politike. Këtë gatishmëri e ka treguar edhe kryeministri Alibin Kurti.

Ndër të tjera, kryeministri Albin Kurti pati thënë se është i gatshëm të ofrojë votat e VV-së për shpërndarjen e Kuvendit vetëm nëse për këtë gjë pajtohet të gjitha partitë opozitare.

Shpërndaje në

U Kopjua