Live

Raporti negativ për lirinë e medias në Kosovë, Qeveria gjen arsyetime, Presidentja zgjedh të flasë për lajmet e rreme

18:52 / 03 Maj 2024

Nga Kosova Live

Reporterët pa Kufij, një prej organizatave më kredibile që merret me lirinë e medias, sot ka publikuar një prej raporteve më negative për Kosovën. Kosova ka shënuar një regres shokues prej 19 vendesh në indeksin e RSF sa i përket lirisë së medias, duke e përmendur politikën si një prej kërcënimeve kryesore, shkruan Gazeta Express.

Duke parë këtë raport tejet negativ, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, ka postuar një status në ‘facebook’, duke u munduar të arsyetojë rënien prej 19 vendesh, duke thënë se ky vit s’ka qenë i lehtë, marrë parasysh ngjarjet në veri.

Kryeziu ka thënë se një rënie e tillë s’duhet të jetë dekurajuese, pas progresit të dy viteve paraprake. Zëdhënësi i Kurtit në reagimin e tij ka thënë se dy arsyet kryesore për këtë vlerësim negativ janë situata në Veri dhe rasti me Klan Kosovën, gjë që s’është e vërtetë. Në raportin e RSF, përveç që konstatohet se televizion Klan Kosova është ngacmuar nga Qeveria, përmendet edhe kërcënimi i pavarësisë së RTK-së, ku zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje është zgjedhur për drejtor.

“Kanali më i madh televiziv, Klan Kosova, i është nënshtruar ngacmimeve administrative nga qeveria, e cila gjithashtu kishte kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik RTK me zgjedhjen e një aleati të ngushtë të partisë në pushtet si drejtor. Mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën presionin e forcave politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacione publike, veçanërisht në gjuhën e tyre, që është ajo e pakicës kushtetuese”, thuhet në raportin e Reporterëve pa Kufij.

Përpjekje të ngjashme me zëdhënësin e Qeverisë, ka bërë edhe zëdhënësi i partisë që Albin Kurti drejton. Arlind Manxhuka i cili është pjesë e zyrës për media të Vetëvendosjes, ka thënë se kjo rënie në renditje s’ka të bëjë me presionin apo kufizimet nga Qeveria, ndonëse në paragrafin e parë rë raportit të Reporterëve pa Kufij, politika përmendet si rreziku kryesor .

“Raporti i Reporterëve pa Kufij nuk na gëzon por mediat në Kosovë janë të lira.

Në raportin e Reporterëve pa Kufij këtë vit Kosova ka shënuar një rënie prej 8 pikësh në rezultat dhe 19 vende në renditjen globale bazuar elemente që janë krejtësisht të qarta, e që nuk kanë të bëjnë me presionin e kufizimet nga qeveria”, ka shkruar Manxhuka.

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit edhe presidenca e Kosovës kanë publikuar një deklaratë të presidentes Vjosa Osmani. Osmani ka thënë se përkrah gazetarët për të raportuar pa frikë dhe pa censurë dhe për të mbrojtur sigurinë e gazetarëve në vendet ku ajo mungon.

Ajo gjithashtu ka përmendur edhe ngarkesën me informacione dhe thotë se beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave kurrë s’ka qenë më urgjente.

“Në një periudhë të mbingarkesës me informacione dhe kur po kërcënohen paqja e stabiliteti në botë dhe në rajonin tonë, beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente.

Lajmet e rreme minojnë demokracinë e paqen e në raste të caktuara edhe sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë nacionale, ndaj nevoja për t`iu kundërvënë atyre është më e madhe se kurrë dhe në funksion të mbrojtjes së të vërtetës”, ka thënë Osmani.

Shpërndaje në

U Kopjua