Live

Shubariqi thotë se nga frika kishte shkrehur armën në drejtim të vëllait të tij

14:11 / 07 Qershor 2024

Nga Kosova Live

Millorad Shubariqi gjatë dhënies së mbrojtës në Gjykatën Themelore në Prishtinë tha se në momentin kritik kur kishte qitur me armë në drejtim të vëllait të tij ishte ndier i frikësuar nga ai pasi që paraprakisht i kishte parë diçka të zezë në duar.

“Kam shkrehur nga frika… mua me kujtohet se vetëm në duart e tij kam pa diçka zi”, deklaroi Shubariqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shubariqi po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale “Vrasje e rëndë” pasi që më 7 maj të 2022 për shkak të mosmarrëveshjeve kishte privuar nga jeta vëllain e tij tani të ndjerin D.SH.

Paraprakisht Shubariqi sqaroi se në momentin kritik kishte pranuar një goditje nga i ndjeri në pjesën e kokës dhe se nga goditje kishte përjetuar tronditje duke mos parë edhe mirë dhe se pas goditjes kishte shkuar në shtëpi që të merrte armën.

Sipas tij, arsyeja pse ka shkuar të marrë armën është se kishte dëgjuar nga disa miq se i ndjeri D.SH. ka blerë armë dhe se pas goditjes e ishte ndier i kërcënuar.

Shubariqi po ashtu i pyetur nga anëtari i trupit gjykues, gjykatësit Kushtrim Shyti, sqaroi se ka qenë polic i Kosovës për 22 vjet me radhë dhe se ka kaluar të gjitha teste e nevojshëm për përdorim të armës dhe se armën qe e ka përdorur ka qenë e policisë dhe se e kishte parë të nevojshëm përdorimin e të njëjtës në ditë kritike.

Paraprakisht Shubariqi duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Asdren Hoxha, duke thënë se para aktit të vrasje me të ndjerin kishin pasur mosmarrëveshje dhe se i kishte kërkuar që të lironte pronën edhe përkundër që sipas Shubariqit toka ishte e babait të tyre.

Shubariqi po ashtu tha se në shumë raste gruaja e tij e kishte telefonuar dhe i kishte treguar për presionit që i ndjeri D.SH. i ka bërë të njëjtës si dhe duke shtuar se në disa raste edhe e kishte goditur por se sipas tij gjithmonë ishte munduar të qetësonte situatën.

Për të ndjerin vëllain e tij, Shubariqi tha se nuk ka pasur marrëdhënie të mira as me familjarët tjerë dhe se nuk ka pasur edhe shumë shoqëri me personat dhe duke e përshkruar se edhe nuk ka qenë mirë në aspekt shëndetësor.

Pas përfundimit të mbrojtjes nga Shubariqi, me kërkesë të prokurores Fitore Sadikaj seanca u ndërpre në mënyrë që e njëjta të jetë e gatshme për përgatitjen e fjalës përfundimtare.

Sipas aktakuzës të datës 13 prill 2023, i akuzuari Millorad Shubariq me nofkën “Miqa” i cili gjendet në paraburgim, akuzohet se me datën më 7 maj 2022 rreth orës 15:30 minuta, në fshatin Gushtericë e Ultë, Komuna e Lipjanit, për shkak të disa mosmarrëveshjeve në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit D.Sh. dhe zënkave disa vjeçare rreth pronës-shtëpisë së përbashket të vëllezërve- të pandehurit Millorad Shubariq dhe D.Sh., derisa tani i ndjeri D.Sh., ishte duke punuar me kosë para shtëpisë së tij në oborrin e përbashkët me të pandehurin, ndërsa i pandehuri Millorad Shubariq ishte duke konsumuar birra, mes tyre ka filluar një fjalosje dhe kacafytje ku i pandehuri Millorad Shubariq ka hyrë në dhomën e tij ku ka marrë armën e tij zyrtare të tipit “Glock”, pastaj ka shkuar te shtëpia e tani të ndjerit dhe me dashje ka shtënë me armë tetë herë në drejtim të tij dhe e ka qëlluar, ku si pasojë e plagëve tani i ndjeri ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Me këtë i pandehuri ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 175. paragrafi 1. nënparagrafi 1.3 dhe 1.6 të KPRK-së.

Shpërndaje në

U Kopjua