Live

Spahiu për situatën në veri: Po shkojmë drejtë luftës, në jug të Mitrovicës ka filluar të dal situata jashtë kontrollit

18:12 / 08 Nëntor 2022

Nga admin

Me 5 nëntor ka filluar një realitet i ri politik në Kosovë. Largimi i serbëve nga të gjitha institucionet publike të Republikës së Kosovës ka vënë në alarm faktorët ndërkombëtar për një eskalim të mundshëm të situatës.

Intervistoi: Çlirim Qeriqi

Kryeministrit i Kosovës, Albin Kurti po vazhdon të jetë i vendosur për vendimin e tij në lidhje me targat përkundër presionit ndërkombëtar deri më tani, shkruan kosovalive.net Oponentët e tij politikë sot pranuan ftesën e Kurtit për takim. Por, jo gjithçka shkoj mirë.

Ende pa u bërë 20 minuta, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj doli nga takimi i nervozuar me Kurtin. Pasi doli, Haradinaj shkroi postim se takimin e lëshoi pasi Kurti po mbante ligjërata dhe nuk po fliste në lidhje me relacionet Kosovë-ShBA. As dy liderët tjerë, që i qëndruan deri në fund në takim, nuk dolën fort të kënaqur nga takimi, duke thënë që kryeministri nuk po koordinohet me aleatët.

Në lidhje me ngjarjet në veri, planin franko-gjerman, opsioni për shkëmbimin e territoreve dhe situatën në jug të Mitrovicës, kosovalive.net ka realizuar një intervistë me analistin e njohur kosovar, Nexhmedin Spahiu. Spahiu mendon që liderët politikë kosovar po marrin instruksione të ndryshme nga aleatët ndërkombëtarë pasi nuk kanë unitet në mes veti.

“E shoh që janë të instruktuar në mënyrë të ndryshme nga partnerët tanë, aleatët tanë, me një qëllim të caktuar dhe zakonisht kur ka unitet mes liderëve ata marrin të njëjtat këshilla, kur ka kundërthënie mes liderëve politikë, instruktohen në mënyra të ndryshme për të inskenuar ndonjë skenë e cila mund të shërbej në planin e jashtëm më shumë në politikën në rajon e më gjerë”, u shprehë ai fillimisht.

Tutje, analisti kosovar beson se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës është një akt lufte dhe na rikthen në pikën 0.

“Po mendoj që tërheqja e prokurorëve, gjykatësve, policëve, nëpunësve na kthen në pikën 0, na sjellë në vitin 1999, një akt lufte në fakt, ne jemi duke shkuar drejt luftës Kosovë-Serbi me hapa shumë të sigurt”, tha Spahiu.

Tutje, analisti shtoi se i gjithë ky acarim i situatës mund të jetë një marrëveshje mes dy liderëve, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për të arsyetuar kompromisin në fund.

“E vetmja gjë që më bën me shpresu që nuk po shkojmë drejtë luftës është nëse kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq janë marrë vesh mes veti që me acaru situatën deri në një pikë të caktuar në mënyrë që kur të nënshkruhen marrëveshjet me i arsyetu kompromiset dhe me i shpëtu vendet nga lufta. Nëse ky është skenari më fatlum, ndërsa skenari më ogurzi që po duket në horizont e që është një luftë, ku incidentet tash do të shpeshtohen e pas tyre sulmet nga ana e Serbisë dhe në fund sulmet e NATO-së ndaj Serbisë për ta futur atë nën kontrollën e Perëndimit”, shtoi ai.

Spahiu foli edhe për planin franko-gjerman dhe nëse ka rënë në “ujë” ky plan pas tensionimit të situatës në veri.

“Nuk e di nëse zyrtarisht apo publikisht ka rënë, nuk e dimë nëse ka ndonjë marrëveshje të fshehtë që ai në një moment të caktuar të pranohet nga të dy palët me arsyetimin që e ceka më lartë. Nuk e di nëse është ky inskenim, atëherë nuk ka rënë, por nuk ka një marrëveshje të fshehtë që është publike mes kryeministrit Kurti, presidentit të Serbisë, Vuçiq dhe akterëve tjerë relevantë ndërkombëtarë, atëherë ai plan ka rënë dhe ne jemi duke shkuar drejtë luftës”, tha ai.

Analisti kosovar tutje tha se nuk beson se opsioni për shkëmbimin e territoreve do të rikthehet në tavolinë. “Shkëmbimi i territoreve nuk besoj se mund të kthehet në tavolinë për shkak që kjo do të ndryshonte rendin botëror dhe kjo do të shkaktonte “domino efekt” në gjithë botën, në të gjithë vatrat e krizës, prandaj nuk e besoj që një gjë e tillë mund të kthehet në rend dite, le që kjo nuk është aspak interes i Kosovës, është interes i kahershëm i Serbisë edhe i Rusisë por jo i Kosovës dhe nuk është interes i perëndimit për ta bërë këtë”, tha Spahiu.

Në fund, Spahiu foli për situatën në jug të Mitrovicës, ku u shprehë i shqetësuar se situata ka filluar të dal jashtë kontrollit.

“Ajo që është më shqetësuese është fakti që në jug të Mitrovicës kanë filluar ta agravojnë situatën, ta vendosin situatën jashtë kontrollit. Paraqitja e vullnetarëve, të rinjve, shpërndarja e flamujve të Shqipërisë, vendosja e tyre në pikat takuese me komunitetin serb, ku deri aty valon flamuri i Serbisë dhe pastaj vendosen flamujt e Shqipërisë. Krijimi i kufijve psikologjik, ngjanë në krijimin e një fronti që është plotësisht një tregues që qon drejt luftës dhe aq më tepër që qëllimi është i njëjtë që të tregohet që shteti i Kosovës nuk funksionon, që nuk ka shtet të Kosovës, do të thotë një irredentizëm shqiptarë dhe ka një mbrojtje të shtetit serb nga ana tjetër por që nuk ka shtet të Kosovës, që nuk ka institucione të Kosovës, me vetë faktin që institucionet e Kosovës nuk po reagojnë, nuk po ndërmarrin masa ndaj këtyre të rinjve që po i zhvillojnë këto akte sepse kur je shtet në hapësirat publike vendosjen e flamujve e bëjnë institucionet e shtetit, e bën Qeveria ose e bën komuna por jo vullnetarët, natyrisht që përdorimi i çfarëdo flamujve në Kosovës është i lejuar me ligj por munden me i vendos në cilësinë private por mbushja e shesheve e rrugëve me flamuj i takon vetëm institucioneve, vetëm qeverisë dhe komunës dhe tash kur disa individë zgjohen dhe e bëjnë këtë gjë, atëherë kjo bëhet me qëllim të caktuar e qëllimi në këtë rast po bëhet nga individë të paguar ose të mashtruar nga Beogradi me qëllim që me e kriju frontin e luftës”, përfundoi Spahiu.

Gjendja në veri të Mitrovicës po vazhdon të jetë e tensionuar. Me 21 nëntor, sipas lajmërimeve të kryeministrit Kurti, do të filloj dhënia e gjobave për qytetarët që nuk i zëvendësojnë targat ilegale serbe me ato RKS. ShBA-të dhe shtetet e fuqishme evropiane po kërkojnë nga Kurti që të shtyjë afatin për targa për së paku 10 muaj, po ashtu po presin që të filloj procesi për implementimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Kryeministri Kurti dje tha se nuk ka ndryshuar mendim sa i përket asociacionit dhe vazhdon të mendojë njëjtë siç ka menduar para 9 viteve.

Partitë opozitare po i kërkojnë Kurtit që të koordinohet me ShBA-të dhe të shtyjë afatin për targat./kosovalive.net/

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...