Macja kjo kafshë e dashur dhe e qetë shtëpiake, është në gjendje të reagojë edhe ndaj tingujve, të cilët veshi i njeriut nuk i kap dot kurrë. Ato janë një oktavë e gjysmë mbi limitin e dëgjimit të njeriut.
Ajo pothuaj gjatë tërë kohës fle me përjashtim kur ushqehet, apo është në përgjim të ndonjë miu. Macja sillet kështu sepse kërkon të izolohet nga bota që e rrethon, nga zhurmat e ndryshme, të cilat e trembin, e alarmojnë dhe e stresojnë.
Veshi i saj nuk e duron dot zhurmën, prandaj macja dëshiron të jetojë e qetë dhe në marrëdhënie të mira me të gjithë, transmeton Telegrafi.
Kur nis të rrotullohet në formë rrethi, duke tundur bishtin, macja tregon se ndihet e lumtur. Ajo shtrihet në kurriz dhe provon një ndjenjë të qetë gjumi.
Vetëm kur e ndien se po i përgatisin ushqimin, ngrihet dhe vrapon për në kuzhinë. Por entuziazmi i saj meket menjëherë, kur dëgjon se pjata bie në dysheme e thyhet, apo kur një njeri i huaj troket në derë. Veshët i ngrihen vertikalisht, sytë i çakërriten gjithë tmerr dhe ajo nxiton të futet në divan.
Ajo njeh çdo lëvizje dhe çdo zhurmë të njerëzve të shtëpisë veçanërisht të atyre që kanë treguar dashuri për të. Macja njeh zhurmën që bëjnë hapat e tyre në shtëpi. Madje, dhe kjo do t’ju duket e çuditshme, por është fakt që macja është në gjendje të dallojë dhe shtypjen e ziles së dorës, kur i bien njerëzit e shtëpisë, pa i parë fare ata.