Faruk Mujka është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenci”, këtë e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në Facebook.
Këtë lajm e ka bërë të ditur edhe redaksia e kosovalive.net ditë më parë.
Mujka shkroi se kjo ndërmarrje është e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe vend ideal për të kontribuuar.
“Tani, koha për udhëtim të ri. Nga, nesër filloj detyrën e re, Kryeshef Ekzekutiv në NHE “Ibër – Lepenc”, ndërmarrje tepër e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. Vend ideal për për të kontribuar dhe treguar aftësitë e duhura menaxhuese në përputhje me pritjet e qytetarëve. Falënderoj nga thellësia e zemrës të gjithë ata që më kanë besuar, përkrahur dhe mbështetur gjatë këtyre viteve nga sfida në sfidë.”, ka shkruar Mujka.
Mandati i këtij posti në ndërmarrjen “Ibër Lepenci” është trevjeçar, por me mundësi vazhdimi.
Mujka ka mbajtur postin e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, në periudhën kur kryetar ishte Agim Bahtiri i Lëvizjes Vetëvendosje.
Gjatë vitit 2021 Mujka kishte dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të degës së VV-së në Mitrovicë. Aktualisht, ai është asamblist në Kuvendin Komunal të Mitrovicës dhe anëtar i Vetëvendosjes.