Lindja e një fëmije gjatë një fluturimi nga Guyaquil, Ekuador në Amsterdam i befasoi të gjithë në aeroplan në fillim të kësaj jave.
Një zëdhënës i linjës ajrore KLM ka thënë të shtunën mbrëma se profesionistët mjekësorë ndihmuan në lindje, “për të cilën ne u jemi shumë mirënjohës atyre”.
Dhe sipas tij, “nëna dhe fëmija po shkojnë mirë”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Nëna e re, Tamara, dhe fëmija i saj u shtruan në spitalin Spaarne Gasthuis Haarlem Zuid pasi zbritën në aeroportin Schiphol.
Tamara po udhëtonte nga Ekuadori për në destinacionin e saj në Spanjë, me një ndalesë në aeroportin Schiphol jashtë Amsterdamit.
“Disa orë para uljes në Holandë, i dhimbte stomaku dhe vendosi të shkonte në tualet. Për habinë e saj të madhe, pas dy kontraktimeve, ajo papritmas pati një fëmijë në duart e saj”, citohet të ketë thënë spitali.
Ajo e quajti djalin Maximiliano.
Madje, siç pretendohet më tej, “Tamara nuk e kishte idenë se ishte shtatzënë dhe ishte mjaft e befasuar nga ngjarja”.
Në aeroplan ishin dy mjekë dhe një infermiere nga Austria, të cilët ishin në gjendje të ndihmonin nënën pas kësaj lindjeje befasuese. /Telegrafi/