Eksperti i Sigurisë, Fadil Kajtazi në një intervistë për kosovalive.net ka folur për situatën në veri.
Sipas Kajtazit, zgjidhja për problemin e veriut duhet të jetë politike. Ai ka kritikuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla për mospunë.
Sipas tij, përderisa Sebria është shumë aktive, presidentja Osmani është jashtë asaj që është duke ndodhur.
“Tani e gjitha që po ndodh atje është një vepër e studiuar e përgatitur mirë dhe e zbatuar nga Shërbimet e Intelegjencës Serbe mbrapa së cilës ndodhet Qeveria e Serbisë. Faktikisht kërkesat janë politike, serbët kërkojnë që ta rrëmbejnë atë pjesë të territorit tonë përmes luftës hibride dhe mendoj që zgjidhja duhet të jetë politike, këtë zgjidhje politike duhet ta bëj Qeveria e Kosovës, politika e saj e jashtme e cila siç jemi duke e parë është shumë infantile, të paktën nga ajo që ne jemi duke e parë. Ministrja e Punëve të Jashtme nuk ma merr mendja që e ka vendin në Prishtinë, ajo duhet të jetë në Bruksel, Uashington, Berlin, Romë, Paris, në qendrat e vendosjes evropiane dhe botërore. Ajo akutalisht është duke u mjaftuar me të qenurit ministre e Punëve të Jashtme, edhe presidentja po ashtu është jashtë asaj që është duke ndodhur, ndërkohë që serbët janë shumë aktiv, ata kanë arritur që ta kthejnë përkrahjen që e kemi pasur ne në dobi të tyre dhe derisa të aktivizohet kjo pjesë gjërat do të jenë kështu si janë. Serbët kohë pas kohe do ta tensionojnë situatën për arsye se në kuadër të luftës hibride që janë duke e zhvilluar është një taktikë që është duke shkaktuar dhe menaxhuar kriza”, u shprehë ai fillimisht.
Kajtazi: Zgjidhja e shpejtë bëhet kur Qeveria e Kosovës ka një plan të veprimit që ua prezanton ShBA-ve dhe BE-së
“Zgjidhja e shpejtë bëhet kur Qeveria e Kosovës bën një plan të veprimit dha ua prezanton fuqive vendosëse, ua prezanton ShBA-ve dhe BE-së dhe një plan që do të jetë i pranueshëm ose do të jetë një bazë e mirë për fillimin e dialogut për ta rregulluar këtë çështje, për ta zgjidhur definitivisht. Mirëpo, tash nuk po shifet asgjë në horizont, ndoshta ata përmes rrugëve të tyre diplomatike, përmes kanalave të fshehta janë duke bërë diçka, mirëpo ne nuk jemi duke parë. Deri tani iniciativa është në anën e Serbisë, ata e kanë ngrirë problemin, siç e parashikojnë në dokumentin e tyre”, tha Kajtazi.
Kajtazi: Nuk besoj se do të eskaloj situata, serbët duan ta mbajnë veriun si problem të ngrirë
“Nuk besoj, sepse në dokumentin e tyre të Sigurisë Nacionale në vitin 2019 e parashohin këtë që ta mbëjnë problemin e ngrirë. Për momentin është ashtu problemi i ngrirë, organet e Kosovës në atë pjesë janë të paralizuara, janë të dëbuara nga sistemi, nga jeta publike dhe tash ata luajnë sipas ritmit të tyre. Ajo që është tragjike në atë pjesë është popullsia që jeton në atë pjesë edhe serbe edhe shqiptare. Ne e pamë se serbët e veriut nuk janë duke i përkrahur në masë politikat e Vuçiqit, protesta e para 3 ditëve tregoi se nuk ishte ashtu siç kanë qenë protestat si mbahen mend pas vitit 2000. Sirenat më nuk po lëshohen se më nuk po ka përkrahjen e popullatës”, u shprehë ai.
Kajtazi: Po të kishte menaxhim të mirë të situatës nuk do të ishte kjo gjendje
“Mua ma merr mendja se sikur të kishte qenë një menaxhim i mirë nuk do të kishim këtë gjendje që kemi, atje do të kishim një shtrirje normale të shtetit të Kosovës. Tani për tani nuk na funksionon asgjë atje, nuk na funksionon policia atje që është e barrikaduar, e cila nuk zhvillon aktivitetet e përditshme operacionale ashtu siç parashihen me ligj dhe rregullore e tyre. Thënë të drejtën, Policia e Kosovës funksionon vetëm në akset rrugore kryesore por jo në brendësi të territorit”, tha eksperti i sigurisë.
A po shkon situata drejt një ‘Atihsaari +’?
“Ky është qëllimi i tyre. E gjithë kjo rrëmujë që ka ndodhur, ka ndodhur me qëllim që Serbia në tavolinën e bisedimeve të përmirësoj pozitën negociuese e ajo që do të shtrohet në tavolinën e bisedimeve do të jetë se jeta normalizohet vetëm ne kur ta fitojmë trofeun”, shtoi Kajtazi.
Fadil Kajtazi komenton deklarimet e deputetëve të LVV-së dhe asistentëve të Kurtit, Hysamedin Feraj dhe Elvis Hoxha karshi KFOR-it
“Për besë tash duhet të jesh naiv politik ose duhet të kesh një mbështetje shumë të madhe nga një fuqi e madhe, ose duhet të kesh një fuqi që ne nuk e dimë ushtarake, policore apo ku ta di unë tjetër që ta bësh një deklaratë të tillë që ta kërcënosh KFOR-in, që ta detyrosh KFOR-in, që t’i japësh ultimatum KFOR-it. Unë dëgjova një deklaratë nga kjo vijë ‘Ta bëjmë Ollujën në veri’. Mirëpo një ‘Ollujë’ në veri bëhet nëse ti ke mundësi, që të kesh kapacitete të mbrohesh edhe në jug. Për arsye se një ‘Ollujë’ në veri nuk do të mbetet vetëm në veri, lufta do të përhapej edhe në veri edhe në jug dhe e dimë ne se Serbia e ka me një unazë të hekurt të rrethuar Kosovën, ka mbi 53 batalione, ka dikun 350 tanke dhe afër 1000 mjete tjera të blinduara, rreth 100 gryka të atilerisë. Kjo përpos që do të jetë një kosto të madhe financiare”, komentoi ai.
Si duhet të jetë zgjidhja sipas Fadil Kajtazit
“Zgjidhja duhet të jetë politike. Duhet të hapen kanalet e vjetra të komunikimit me ShBA-të dhe me partnerët perëndimor, ato kanale si duke janë mbyllur, nuk janë mirëmbajtur nga megollomania jonë, nga ajo duke menduar se ne jemi një potencial që mund të ia dalim vetë kësaj pune. Në qoftë se ju kujtohet, presidentja në muajt e para kur e ka marr pozitën ia ka ndërprerë financimit të fondacionit ‘Ëilliam Ëalker’ dhe nuk ka pasur kurrfar logjike kjo gjë dhe e vetmja që është kënaqur me këtë punë, është kënaqur Serbia që gjatë gjithë kohës ka zhvilluar një luftë hibride që t’i fut shqiptarët në konflikt me Bashkësinë Ndërkombëtare”, tha ndër të tjera ai.
A janë të parashikueshme zhvillimet në veri? – Kjo është përgjigja e Kajtazit
“Kujtoj që nuk do të dalin jashta kornizës e cila është vijë e kuqe nga Bashkësia Ndërkombëtare. Këtë lojë që është duke u luajtur, ka një miratim të heshtur të Bashkësisë Ndërkombëtare dhe kjo si duket për të na ulur neve në tokë”, përfundoi Kajtazi./kosovalive.net/