Live

Gjermania nuk ka ende një vendim për dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë

18:47 / 20 Janar 2023

Nga Kosova Live

Ministri i ri i mbrojtjes i Gjermanisë tha sot se ende nuk është marrë asnjë vendim për dorëzimin e tankeve të rënda Leopard në Kiev.

Çështja u “diskutua” midis aleatëve të Ukrainës në Ramstein, në Gjermaninë perëndimore, por “asnjë vendim nuk është marrë”, tha Boris Pistorius në një konferencë shtypi.

“Nuk mund të themi sot se kur (do të merret një vendim) dhe cili do të jetë vendimi për tanket Leopard”, tha ai.

Aleatët e Ukrainës po takohen sot në bazën ajrore amerikane Ramstein për të vendosur mbi ndihmën ushtarake shtesë për Kievin.

“Ne nuk po hezitojmë, ne thjesht po peshojmë të mirat dhe të këqijat. Ne kemi përgjegjësinë të mendojmë me kujdes për pasojat për të gjitha palët në konflikt,” tha Pistorius.

Ministri tha se “përshtypja” se vetëm Gjermania e kundërshton dërgimin e tankeve në Kiev është “e gabuar”.

“Shumë aleatë ndajnë pikëpamjen” e Berlinit, tha ministri i cili vlerësoi se “ka arsye të mira për të qenë pro dhe arsye të mira për të qenë kundër “.

“Ishte e qartë se opinionet nuk janë aq uniforme sa përshtypja e dhënë deri më tani,” shtoi Pistorius, duke folur për AFP, pas konferencës për shtyp.

Gjermania po përballet me presion në rritje për të miratuar dërgimin e tankeve Leopard 2 të prodhimit gjerman në Ukrainë.

Polonia dhe Finlanda kanë thënë se janë të gatshëm t’i furnizojnë ushtrinë ukrainase me tanke të tilla, por për ta bërë këtë kanë nevojë për pëlqimin e Gjermanisë, e cila i ka ndërtuar ato.

Një rieksportim ose dhurim i pajisjeve të prodhimit gjerman i nënshtrohet miratimit të Berlinit, siç është rasti me vendet e tjera për industritë e tyre të mbrojtjes.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje sot Perëndimit që të përshpejtojë dërgesat e armëve të rënda, kryesisht tanke dhe raketa me rreze të gjatë, për të mbështetur vendin e tij në betejat e ardhshme vendimtare.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...