Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se plani franko-gjerman është i pranueshëm për Kosovën, pasi nuk ka Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe në të. Por, ai e pranon se në atë plan Kosova e merr një obligimi për zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme. Dhe meqë këtë Asociacion e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese, sipas tij, duhet të gjendet një formë e re e Asociacionit.
Kreu i Kuvendi i bëri komentet në një deklarim për Ekonomia Online dhe disa medie të tjera në hollin e Kuvendit të Kosovës.
Konjufca ka thënë se përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë kërkuar që të ruhet konfidencialiteti dhe Plani i njohur fillimisht si Franko-Gjerman, të mos bëhej publik. Ai ka zbuluar se kryeministri Albin Kurti e ka pasur këtë plan që nga shtatori 2022.
“Këtë plan Qeverisë, mesa e di unë, përfaqësuesit gjermanë dhe francezë ia kanë dorëzuar në shtator të vitit të kaluar, mirëpo ky plan është kërkuar nga vetë propozuesit që mos të ndahet shumë me publikun, të kufizohet maksimalisht për shkak që përderisa palët janë në biseda e sipër dhe u prezantohet fillimisht atyre, sepse procesi mund të shkatërrohet nëse nuk ruhet konfidencialiteti”, tha Konjufca.
“Eh pikërisht atëherë, kryeministri Kurti para tre muajsh ka thënë që është bazë e mirë që të vazhdohet më tutje. Nuk e di përse i gjithë ky pluhur kur kryeministri ka thënë se ky plan është i pranueshëm për Kosovën, për arsye se aty nuk përmendet kurrfarë Asociacioni”, tha Konjufca.
“E tëra që mund të aludohet për nënkuptim në atë plan është që marrëveshjet e deritanishme të arritura në dialog. Pra Kosova e merr një farë obligimi për marrëveshjet e deritashme që janë arritur në dialog, pra në këtë aspekt mund të thuhet eksplicit është referenca e Asociacionit. Por çështja është se këtë Asociacion e ka hedhur poshtë Kushtetuesja dhe tash çështja është të gjendet një formë e re e Asociacionit”, tha kreu i Kuvendit.
“Unë mendoj se janë dy rreziqe për Kosovën. E pse kjo nuk është zgjidhja më e mirë dhe pse është kompromis. Është kompromis sepse nuk e ka njohjen legale, por është njohje ‘defacto’, pra shtetësia e Kosovës nga Serbia nuk pranohet drejtpërdrejt por në mënyrë të tërthortë”, tha tutje Konjufca.