Qeveria e Kosovës ka miratuar me 1 shkurt vlerën e koeficientit me Ligjin e Pagave për vitin 2023.
Vlera e koeficientit për këtë vit do të jetë 105 euro.
Një polic i thjesht do të ketë koeficientin 5, ndërsa kadeti policor do të ketë koeficientin 2.
Duke e llogaritur me vlerën e koeficientit, një polic i thjesht do të marrë rreth 525 euro pagë bruto, ndërsa kadeti policor do të paguhet rreth 210 euro.
Sindikata e Policisë: Kemi dërguar ankesë te Avokati i Popullit
Për vlerën e koeficientit të ndarë nga Qeveria, ka reaguar kreu i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.
Sipas tij, Sindikata e Policisë nuk do ta pranojë vlerën e këtij koeficienti.
“Në asnjë mënyrë nuk pranohet kjo sidomos nga Sindikata e Policisë, kjo është e papranueshme”, u shpreh Zeqiri.
Zeqiri ka thënë për Front Online se Qeveria duhet të merr masa para se ta shkelin ligjin.
“Kemi dërguar ankesë tek Avokati i Popullit për rrezikshmëri dhe shtesat e tjera për policët dhe për pabarazi për koeficient në dy institucionet FSK-polici. Nëse nuk duan të bëjnë shkelje ligjore, Qeveria duhet të merr masa”, u shpreh Zeqiri.
Berisha i PDK-së për vlerën e koeficientit: Qeveria Kurti e ka shkelur Ligjin
Se vlera e koeficientit e ndarë nga Qeveria duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese e thonë edhe nga PDK-ja.
Anëtari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, njëherësh edhe deputet i PDK-së, Hisen Berisha ka folur për Front Online.
Berisha ka thënë se opozita dhe sindikatat duhet ta dërgojnë vlerën e koeficientit në Kushtetuese.
“Pagat që marrin policët, ushtarët, kadetët, është minimale. Nëse e krahasojmë më shkallën e inflacionit dhe rritjen e çmimit kjo është e papërballueshme. Partitë opozitare dhe sindikatat duhet ta dërgojnë vlerën e koeficientit në Gjykatë Kushtetuese”, tha Berisha për Front Online.
Deputeti i PDK-së thotë se Qeveria Kurti e ka shkelur ligjin.
Sipas tij, minimumi i vlerës së koeficientit duhet të jetë 130 euro.
“Qeveria ka pritur që ne menjëherë ta dërgojmë Ligjin e Pagave në Kushtetuese për shqyrtim, por ne nuk e bëmë sepse Qeveria do ta përdorke. Vlera e koeficientit është e përgjysmuar dhe duhet të jetë 130 euro minimumi por Qeveria e ka shkelur ligjin”, theksoi Berisha.
Ndryshe, Ligji për Pagat në Sektorin Publik është hedhur në votim dhe miratuar nga deputetët pa e ditur vlerën e koeficientit, e madje edhe është dekretuar si i tillë nga Presidentja./FrontOnline/