Live

SHBA: Nuk ka ndryshuar pozicioni për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

08:57 / 16 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, i ka thënë të enjten Radios Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ndryshuar pozicionin sa i përket njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Në përgjigje është thënë se “Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë, përmes së cilit synohet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me qëllim përfundimtar njohjen reciproke”.

Çështja e njohjes është aktualizuar pas letrave të dërguara nga presidenti amerikan, Joe Biden dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken te presidenti serb, Aleksandar Vuçiq për ditën e shtetësisë së Serbisë, më 15 shkurt, në të cilat nuk është përmendur në mënyrë specifike njohja reciproke mes dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë duhet të përfshihet njohja.

Ai i ka bërë këto deklarata teksa e ka komentuar propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Planin e kanë pranuar si Kosova, ashtu edhe Serbia, por ai nuk është prezantuar asnjëherë në publik.

Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar diku 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.

Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...