Ishte Konstantin Kostachev, kreu i delegacionit rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ai që paraqiti përpara eurodeputetëve një mocion me titullin “Trajtim çnjerëzor i njerëzve dhe trafikim i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”.
Ky mocion, i iniciuar nga personi që shërbente në subjektin politik aktual të presidentit despotik rus, Vladimir Putin, u mor mjaft seriozisht nga KE-ja, e cila caktoi në kuadër të Komitetit të të Drejtave të Njeriut senatorin zviceran, Dick Martyn, në krye të hetimit të këtyre pretendimeve.
Në mungesë të gjetjes së provave konkrete, Martyt iu desh të mbështetej në një dosje prej një mijë faqesh të Prokurorisë të Serbisë për Krime Lufte. Këtë e kishte konfirmuar Milan Protic, ish-ambasador i Serbisë në Zvicër, në librin e tij, raporton Demokracia.com.
Siç thoshte Protic përgjatë një interviste televizive, Marty nuk kishte asnjë mjet me anë të të cilit mund të akuzonte figurat e UÇK-së, përpara se t’i ofrohej dosja e Prokurorisë së Serbisë.
Raporti i Martyt, i sponzorisuar nga Rusia, akuzonte drejtpërdrejtë mbështetësit ndërkombëtarë të Kosovës, kryesisht SHBA-në dhe kriminalizonte luftën e UÇK-së.
“Kthetrat” e Rusisë përbrenda Speciales ishin vërejtur edhe nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Avokati i ish-presidentit, Gregory Kehoe, në një parashtresë kishte thënë se Prokuroria e Specializuar e Hagës po jepte argumente anti-shqiptare, gjegjësisht synonte ta paraqiste shtetin e Kosovës si të dobët dhe Policinë e Kosovës si të kriminalizuar. Kjo parashtresë u bë në kohën kur Prokuroria kërkonte që të rrëzoheshin garancitë e Policisë së Kosovës për sjelljen e ish-presidentit Thaçi nga paraburgimi në arrest shtëpiak në Kosovë.
“Arsyetimet e ZPS-së për ndalimin e vazhdueshëm të z. Thaçi bazohen në deformime dhe gjysmë të vërteta të frymëzuara nga propaganda ruse, kundërshtarët politikë të z. Thaçi dhe artikuj mediatikë jo të besueshëm. ZPS-ja, në mënyrë efektive, nënkupton që Thaçi, në cilësinë e tij si kryeministër dhe president, e udhëhoqi Kosovën si shtet kriminal”, thuhet në përgjigjen e Kehoe
Zyra e Prokurorit të Specializuar po ashtu kishte hapur një zyre në Beograd që nga 2016-a. Në një takim në Beograd me Prokurorin e Specializuar David Schwendiman, Ivica Daçiq, si zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Serbisë, në vitin 2016, ishte zotuar se do të siguronte mbështetje logjistike dhe ligjore, përfshirë krijimin e një Zyre Ndërlidhëse të Prokurorisë së Specializuar në Beograd.
Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në vazhdimësi kanë akuzuar Prokurorinë Speciale për bashkëpunim me autoritetet serbe.