Live

Abdixhiku vizitohet nga familja e ish-presidentit Rugova në dy vjetorin e tij si Kryetar i LDK-së

15:15 / 15 Mars 2023

Nga Kosova Live

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në dyvjetorin e marrjes së kësaj detyre është vizituar nga familja e ish-presidentit dhe njëherit themeluesit të LDK-së, Ibrahim Rugova.

Abdixhiku është shprehur i nderuar nga vizita e bashkëshortes së Rugovës, Fanës, vajzës së tij Teutës dhe djalit Ukës.

Ai ka thënë se kjo është vizita e parë e Fana Rugovës në selinë qendrore të partisë.

“Nga zonja Fana pranova dhe një dhuratë tejet të çmueshme e domethënëse për mua; një kristal guri; të njëjtin që Presidenti Rugova e mbante për më të veçantë, atë që e kishte dërguar tek Presidenti Klinton e Papa Gjon Pali i Dytë, si shenjë Kosove. Mes emocionesh e kujtimesh të shumta mbi gjithë historinë e familjes sonë politike, i njoftova për punët tona tani”, ka shkruar Abdixhiku mes tjerash Abdixhiku.

Postimi i plotë:

Dy vjet më parë, delegatët e Kuvendit të LDK-së, më dhanë përgjegjësinë dhe njëkohësisht nderin më të madh jetësor, atë të udhëheqjes së formacionit të parë pavarësist e demokratik në Kosovë, shtëpisë së madhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në këtë përvjetor të dytë, u nderova nga vizita e zonjës Fana Rugova, bashkëshortes së Presidentit Rugova, dhe vajzës së tij Teutës e djalit Ukës. Ishte kjo vizita e parë e zonjës Fana në selinë qendrore të partisë.

Nga zonja Fana pranova dhe një dhuratë tejet të çmueshme e domethënëse për mua; një kristal guri; të njëjtin që Presidenti Rugova e mbante për më të veçantë, atë që e kishte dërguar tek Presidenti Klinton e Papa Gjon Pali i Dytë, si shenjë Kosove. Mes emocionesh e kujtimesh të shumta mbi gjithë historinë e familjes sonë politike, i njoftova për punët tona tani.

Dy vitet e shkuara shënuan rikthimin e madh të Lidhjes sonë. E nisëm në një moment të vështirë; dëgjuam, ndryshuam, vepruam mbarë. Qëndruam fort, ecëm drejtë e treguam përgjegjësi për vendin në çdo hap tonin. Mes nevojës së pashmangshme për hapje e reformë, gjetëm dhe unitetin e brendshëm e përfaqësimin e denjë jashtë. Nderuam të shkuarën, por vendosëm të ndërtojmë të ardhmen. Prandaj fituam zgjedhjet lokale; fituam më të rëndësishmen për ne – besimin e qytetarëve tanë.

Sot, LDK ka rigjetur veten mes njerëzve të shkëlqyeshëm të këtij vendi. Ka rigjetur veten mes veprimtarëve e veprimtareve që vazhdojnë të ndërtojnë rrugën e nisur 33 vjet më parë nga patriotë të mëdhenj të kohës. Kjo rrugë gjithsesi s’bëhet më e lehtë, e me çdo rritje tonën ajo bëhet edhe me më shumë përgjegjësi. Por kjo rrugë e jona mbetet e paalternativë. Lidhja është e fortë. Idetë tona janë të kohës. E shkuara jonë është historike. Të ardhmen do ta bëjmë vet ne. Dhe kjo e ardhme është e bukur.

Sepse Kosova meriton më mirë.

Sepse Kosova mundet më shumë.

Shpërndaje në

U Kopjua