Qeveritë e Bashkimit Evropian ranë dakord paraprakisht sot, për të vendosur një kufi të çmimit prej 100 dollarësh për fuçi, për shitjet e naftës ruse. Masa lidhet me embargon e BE-së për karburantin.
Hapi më i fundit synon që t’i jap fund varësisë energjetike të bllokut nga Rusia, si dhe të kufizojë paratë që Moska merr për të financuar luftën e saj në Ukrainë.
Diplomatët, që përfaqësojnë 27 qeveritë e BE-së, vendosën kufirin për karburantin rus të naftës, karburantin e avionëve dhe benzinën, përpara hyrjes në fuqi të dielën.
Masa synon të zvogëlojë të ardhurat e Rusisë, duke lejuar dizelin e saj të rrjedhë në vende joperëndimore, për të shmangur një mungesë globale që do të rriste çmimet dhe inflacionin.
Informacioni u dha nga diplomatë nga 3 vende të ndryshme anëtare të BE-së, përpara një njoftimi zyrtar nga grupi i shtatë vendeve më të mëdha të industrializuara. Ata folën në kushte anonimiteti sepse njoftimi zyrtar do të dalë më vonë.
Kufiri prej 100 dollarësh për fuçi zbatohet për naftën ruse dhe karburantet e tjera që shiten më shumë se nafta e papërpunuar e përdorur për prodhimin e tyre.
Zyrtarët ranë dakord për një kufi prej 45 dollarësh për fuçi për produktet ruse të naftës që shiten për më pak se çmimi i naftës së papërpunuar. Marrëveshja vjen pas një dakordësie të ngjashme të G-7-ës, për të kufizuar çmimin e naftës së papërpunuar ruse në 60 dollarë për fuçi.
Të gjitha kufijtë e çmimeve do të zbatohen shoqëruar me një kërkesë për transportuesit dhe siguruesit me bazë kryesisht në botën perëndimore, që të respektojnë sanksionet dhe të trajtojnë produktet e naftës me çmime vetëm me ose mbi kufijtë.
Rusia ka thënë se nuk do t’u shesë vendeve që i binden kufirit të naftës, por për shkak se nafta e saj shitet për më pak se 60 dollarë për fuçi, ajo ka vazhduar të furnizojë tregun global.
Kufiri i çmimeve inkurajon klientët joperëndimorë, që nuk e kanë ndaluar naftën ruse, që të kërkojnë ulje, ndërsa evazioni, edhe pse i mundshëm, mbart kosto shtesë.
Ambasadorët e 27 vendeve të BE-së e parashtruan vendimin dhe qeveritë kombëtare kanë kohë deri të shtunën për të reaguar. Nuk rpitet ndryshim në marrëveshje.
Evropa ka reduktuar vazhdimisht furnizimet e saj me naftë nga Rusia. Nafta është çelësi për ekonominë sepse përdoret për të fuqizuar makinat, kamionët që transportojnë mallra, pajisjet bujqësore etj. Çmimet janë rritur që kur Rusia pushtoi Ukrainën, për shkak të rritjes së kërkesës dhe kapacitetit të kufizuar të rafinerive në disa vende.
Nëse kufiri i çmimit funksionon, siç synohet, dhe nafta ruse vazhdon të rrjedhë, çmimet e karburantit nuk parashikohet të rriten në qiell, thonë analistët. Evropa mund të marrë furnizime alternative me naftë nga SHBA, India dhe Lindja e Mesme, ndërsa Rusia mund të kërkojë klientë të rinj jashtë Evropës. Apnews