Live

Bekë Berisha akuzon pushtetin: Po doni me eliminu presidenten Osmani, ky ligj i hap telashe shtetit

11:26 / 27 Qershor 2024

Nga Kosova Live

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetari i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, Bekë Berisha ka akuzuar pushtetin qeverisës për përpjekjen e “kontrabandimit të një ligji që rrezikon sigurinë kombëtare”.

Ai e hapi temën e Projektligjit për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, një prej agjencive më të rëndësishme në fushën e sigurisë nacionale.

Berisha tha se pushteti ka propozuar “amandamente krye në vete” për këtë projektligj. Tha se me këtë projektligj, qeveria dhe kuvendi po përpiqet që t’ia heq kompetencat presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

“Sot e kemi Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, i cili ka një vit që është në procedurë në Komisionin e Sigurisë e që ka kaluar çdo limit kohor dhe kjo është bërë qëllimisht nga deputeti dhe anëtari i komisionit, z. Enver Dugolli. Po ashtu, nga Ambasada Amerikane është konfirmuar se përmbajtja e Projektligjit të miratuar në qeveri është në dakordim të plotë me ta. Ndërsa, në anën tjetër z. Dugolli ka kontrabanduar propozim-amandamente të cilat nuk janë rezultat i grupit punues por një rezultat i një rrethi të tij të brendshëm aty”, tha Bekë Berisha.

Ai ka thënë se me këtë projektligj, pushteti po përpiqet që t’i ulet grada e udhëheqësit të kësaj agjencie nga grada e gjeneralit në kolonel

“Mbase për të emëruar dikë që është i preferuar i pushtetit për të marrë kontroll edhe në këtë agjenci”, tha ai. “Po doni me eliminu presidenten prej krejt këtyre kompetencave edhe me lëshu në gradë më të ulët që deri te kryeministri, që keni probleme ndër vete aty”

“Ky projektligj nuk duhet të miratohet sepse do të cenojë sigurinë tonë kombëtare. Ky ligj nëse kalon kështu, do t’i bëjë problem shtetit. Nuk e di ku e keni qëllimin, ndoshta veç me kapë”.

Shpërndaje në

U Kopjua