Live

“Çmendet” çmimi i qebapit, qeveria gjermane gati të marrë masën ekstreme

10:10 / 08 Maj 2024

Nga Kosova Live

Një çmim tavan me vendim politik mund të vendoset për qebapin në Gjermani. Masa është propozuar nga e majta gjermane dhe do të zgjidhte problemin e shkaktuar nga inflacioni, pasi çmimi i qebapit është rritur nga 4 euro në 8 apo 9 euro brenda dy viteve.

Propozimi për qebapin quhet “Dönerpreisbremse” dhe ka mbërritur në Parlament, me iniciuesit që kërkojnë t’i vihet fre rritjes së çmimeve të tij, ashtu siç iu vu fre borxhit publik.

Por përtej neologjizmave dhe konceptualizmit gjuhësor gjerman, problemi është real. Nisma e Linke-së në Bundestag nuk kaloi pa u vënë re. “E majta” propozon një tavan maksimal prej 4,90 euro dhe kupona që t’u shpërndahen fëmijëve më të varfër për ta çuar qebapin në “çmimin politik” prej 2,90 eurosh.

Kostoja e operacionit shkon në 4 miliardë euro. Edhe kancelari Olaf Scholz pranoi se i kishte bërë shumë përshtypje në takimet e tij me të rinjtë, sepse ata pothuajse gjithmonë e kanë pyetur “nëse mund të bëj diçka të ndaluar çmimet e qebapëve“.

Dashuria e gjermanëve me Döner-in ka të bëjë me komunitetin e tyre turk, i cili mbërriti në Gjermani në vitet 1960. Vetëm në Berlin konsumohen 400 mijë Döner (qebap) në ditë dhe disa milionë në të gjithë Gjermaninë.

Kur presidenti Frank-Walter Steinmeier vizitoi Erdoganin muajin e kaluar, ai mori me vete në aeroplanin shtetëror një qebap, për ta çuar në Stamboll.

Kjo lëvizje e tij u kritikua shumë nga ata që i kujtuan ato që Turqia i ka dhënë Gjermanisë si artistët, politikanët, shkrimtarët e futbollistët.

A duhet vërtet të kthehemi te klisheja e qebaptores, ishte pyetja për Frank-Walter Steinmeier dhe ai u përgjigj se donte që Stambolli të shijonte versionin gjerman, që është më i pasur se origjinali.

Por nëse Chicken Tikka Masala – receta indiane që Elizabeth II zgjodhi si pjatën e saj të kurorëzimit – është bërë një pjatë kombëtare britanike, qebapi tani mund të ketë gjithashtu një vend nderi në traditën gjermane.

Shpërndaje në

U Kopjua