Një automjet Volkswagen Bora i një serbi është djegur mbrëmë rreth mesnatës në Leposaviq, ndërsa përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar në njerëz.
Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se ngjarja ndërlidhet me regjistrimin e automjetit në targa RKS që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme dhe se automjeti është djegur qëllimshëm nga autorë deri tani të panjohur.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq.
“Në rrugën pranë çerdhes së vjetër në Leposaviq, është djegur automjeti VW ngjyrë hiri, pronë e C. N. (1991) me targa të Kosovës. Në vendin e ngjarjes janë ekipet e zjarrfikësve, policisë, si dhe inspektorët, ndërsa është informuar edhe prokurori i shtetit, i cili e ka karakterizuar incidentin si ‘zjarrvënie’. Hetimet janë në zhvillim”, ka thënë ai.
Kujtojmë se, një ditë më parë në Leposaviq ishte djegur automjeti i një rreshteri policor.