Mungesa e stafit në sistemin e drejtësisë në veri të Kosovës ka bërë që dhjetëra lëndë nga Gjykata Themelore e Mitrovicës të shpërndahen në komuna të tjera të Kosovës, thonë për Radion Evropa e Lirë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Sistemi i drejtësisë në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – ka katër muaj që punon me staf të zvogëluar, për shkak të dorëheqjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë.
Në Gjykatën dhe në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, të cilat mbulojnë edhe katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – aktualisht janë duke punuar 15 gjyqtarë dhe 9 prokurorë.
Para dorëheqjeve të nëntorit – të cilat pasuan një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe – atje ishin 35 gjyqtarë dhe 19 prokurorë.
Më shumë se 70 lëndë nga Gjykata Themelore e Mitrovicës tashmë janë shpërndarë në komuna të tjera të Kosovës.
“Nënkryetari i Gjykatës në Mitrovicë [Bekim Veliqi], sipas Kodit të Procedurës Penale, ka bërë kërkesë që disa gjykata t’i marrin në kompetencë disa lëndë. Është procedurë e rregulluar dhe ky proces është shfrytëzuar edhe më përpara”, thotë për Radion Evropa e Lirë kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.
Bëhet e ditur se mbi shtatëdhjetë lëndët e shpërndara kanë të bëjnë me natyrën e krimeve të rënda dhe pritet të shqyrtohen nga departamentet përkatëse në ato gjykata.
“Asnjë mundësi objektive nuk kemi pasur ne, që të dërgojmë gjyqtarë në shqyrtimin e këtyre lëndëve në Mitrovicë”, sqaron Zogaj.
Ai thotë se edhe komisioni i monitorimit të strategjive ka konstatuar mbingarkesë me lëndë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
Ngadalësimi thuhet se po ndodh për shkak të dorëheqjes se gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nga institucionet e Kosovës.
Nëntorin e vitit të kaluar, qytetarët serbë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në institucione të ndryshme duke kundërshtuar një vendim të atëhershëm të Qeverisë së Kosovë për riregjistrimin e targave të veturave.
Bekim Veliqi, nënkryetar i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se vonesat në shqyrtimin e lëndëve janë evidente, por, sipas tij, aty po punohet me të gjitha kapacitetet, duke për përfshirë edhe përkrahjen nga gjykatat e tjera dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
“Është normale të ketë vonesa kur ke mungesë kaq të madh të gjyqtarëve që kanë dhënë dorëheqje. E kemi përkrahjen e këshillit. Kanë ardhur katër gjyqtarë të rinj, dy nëpër degë, kurse shtatë të tjerë pritet të vijnë”, bën të ditur Veliqi.
Megjithatë, Veliqi përmend si problematikë mosmbajtjen e seancave pasi që, sipas tij, prokuroria nuk po arrin t’i mbulojë seancat e caktuara.
“Shtyhen seancat për shkak të moszbatimit të urdhëresave në raport me pjesën veriore, në raport me të pandehur”, thotë shkurt ai.
Edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, deklaron për Radion Evropa e Lirë, se ka numër të madh lëndësh, të cilat nuk po mund të procedohen. Atje, thotë ai, po punohet vetëm me rastet e veprave penale, kurse raste e veprave të rënda nuk janë duke u trajtuar.
“Jemi të ngarkuar me numër të madhe të lëndëve, aty ka problem se po ka zvarritje në trajtimin e lëndëve dhe më këtë numër të prokurorëve është e pamundur të arrihet të trajtohen lëndët brenda afateve të duhura kohore. Për lëndët e tjera, aty ka vështirësi edhe në aspektin e autorizimit të policisë dhe në realizimin e intervistave të të pandehurve”, thotë Ujkani.
Sipas një raportit të statistikave të Gjykatave të Republikës së Kosovës, publikuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për vitin 2022, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë numri i përgjithshëm i lëndëve në punë është 17 mijë e 102 sosh.
Avokati Bashkim Mehana nga Mitrovica, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ka shumë raste që kanë mbetur pa u shqyrtuar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dhe se, sipas tij, seancat nuk po thirren. Ai tha se brenda katër muajve ka mbajtur vetëm një seancë.
“Të drejtën të themi nuk kanë caktuar fare seanca, sepse sikur t’i kishin caktuar, do të ishte një arsye e mirë se janë duke punuar dhe është duke funksionuar mirë gjykata. Por, kohën e fundit shumë pak kanë caktuar seanca. Edhe besoj se e dini se 83 lëndë i kanë shpërndarë në rajone të tjera”, thekson ai.
Avokati Mehana konsideron se transferimi i lëndëve në disa gjykata të komunave të Kosovës, do të paraqesë probleme për palët; shpenzimet që do t’i kenë ata, por edhe sigurimin dhe dërgimin e palëve në gjykata.
Nga Instituti të Kosovës për Drejtësi, thonë se Gjykata Themelore në Mitrovicë, vazhdon të mbetet një ndër gjykatat më të ngarkuara me lëndë.
Ata thonë se gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë, të cilët janë ngarkuar me të gjitha lëndët e ish-kolegëve të tyre serbë, janë duke punuar në rrethana të jashtëzakonshme.
Doruntina Mehmeti, monitoruese ligjore nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se nga mosshqyrtimi i lëndëve shumë qytetarëve potencialisht mund t’u jenë shkelur të drejtat për gjykim të drejtë dhe në afat të arsyeshëm.
“Sipas të dhënave të IKD-së, janë rreth 50 raste ku të akuzuarit janë me masë të paraburgimit, që presin të dalin në gjykim apo presin epilogun e gjykimit, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Ndërsa, në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, janë transferuar tre prokurorë nga prokuroritë tjera themelore të Kosovës”, thotë Mehmeti.
Nga ana tjetër, për dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, KGJK-ja dhe KPK-ja ende nuk kanë marrë vendime për aprovimin apo mosaprovimin e dorëheqjeve të tyre.
“Paraprakisht do të ketë përfundim të procedurave disiplinore të iniciuara në disa raste. Ato procedura po zhvillohen. Në momenti kur e kemi përfundimin e procedurave disiplinore, do ta kemi edhe vendimin”, shton Albert Zogaj.
Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, më 9 nëntor të vitit të kaluar tha se dorëheqjet e prokurorëve, gjyqtarëve serbë dhe stafit mbështetës në veri të Kosovës, duhet të pranohen dhe të njëjtit nuk duhet të kthehen më në sistemin e drejtësisë së Kosovës.
Ndërkaq, sipas Ligjit për gjykata, me dorëheqjen eventuale të një gjykatësi apo prokurori, ligjërisht përfundon mandati i tij.