Live

Dugolli: Derisa nuk ka vendim tjetër për targat, do të zbatohet ai i mëhershmi

18:40 / 21 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka folur sot për takimin midis kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb Aleksandër Vuçiq si dhe shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borell.

“Sipas deklaratës së z. Kurti, takimi i thirrur dhe dakordimi që ishte pritur të ndodhte në këto takime nuk ndodhi sepse siç po shihet Serbia nuk ishte e gatshme të pranojë një dakordim për atë propozimin e planit franko-gjerman por më pastaj që u tha që është edhe propozim i Bashkimit Evropian dhe ndërmjetësve dhe si pasojë e kësaj pastaj doli që edhe deklarata e z. Borell edhe deklarata e Vuçiqit, në njëfarë forme nuk kishte dakordim paçka se u tentua që të trajtohet njëanshëm edhe epilogu i takimeve që u mundua që e gjitha të reduktohej krejt në çështjen e targave e që nuk është e drejtë”, ka thënë Dugolli për Info Magazine të Klan Kosovës.

Dugolli tha për vendimin për targa që përderisa nuk ka ndonjë vendim tjetër, atëherë do të zbatohet ai parapraku.

“E para, ai hashtag #mekryeministrin është një mbështetje e madhe që po vjen edhe nga qytetarët edhe nga aktivistë për shkak se ne jemi të vetëdijshëm se parimi kryesor duhet edhe po mbrohet nga kryeministri Kurti, po mbrohet sovraniteti, po mbrohet integriteti dhe të gjithë besojmë në përfaqësimin dinjitoz që po na e bën kryeministri Kurti karshi interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

“Ky është thjesht vetëm një solidarizim dhe mbështetje që po vjen në këto momente të rëndësishme për Kosovën”.

“Sa i përket vendimit, zbatimi nuk di çka të them, nuk ka ndonjë vendim tjetër e që i bie se derisa nuk ka ndonjë vendim tjetër do të kalohet në zbatimin e vendimit të mëhershëm”.

Shpërndaje në

U Kopjua