Live

Edon Cana me kritika të ashpëra ndaj Osmanit e Kurtit, ja pikëpamjet e tij, për vizat, Gërvallën dhe Edi Ramën

12:37 / 13 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Gazetari: Çlirim Qeriqi


Liberalizmi i vizave për Kosovën do të jetë temë diskutimi në takimin e sotëm në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian. Lajmi është konfirmuar tashmë.

 “Mund të ju konfirmojmë se Qeveria e Çekisë, e cila kryeson Presidencën  e Bashkimit Evropian ka vendosur për diskutim në rend dite, çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në takimin e Grupit punues. Tema e liberalizmit të vizave për Kosovën, do të diskutohet.”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së  Çekisë.

Por, sa janë gjasat që kosovarët të udhëtojnë pa viza vitin e ardhshëm? Si është gjendja në diplomacinë kosovare? Pse nuk po ka njohje dhe anëtarësime në organizatat ndërkombëtare? Cila është gjendja në Ministrinë e Punëve të Jashtme? Për të gjitha këto, në një intervistë për kosovalive.net flet ish-ambasadori i Kosovës në Bullgari, Edon Cana.

INTERVISTA E PLOTË:

Pyetje: Ju si ish-ambasador dhe njohës i mirë i Integrimeve Evropian, a besoni se vitin e ardhshëm kosovarët mund të udhëtojnë pa viza?

Edon Cana: Bazuar në indikacionet dhe deklaratat e zyrtarëve të BE-së dhe disa shteteve anëtare, edhe pse në bazë të përvojes së hidhur me një dozë skepticizmi, besoj se liberalizimi i vizave për qytetaret e Kosovës do të ndodhë në vitin e ardhshëm. Kosova i ka përmbushur kriteret para shumë viteve por për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të opozitës në atë kohë Kosova ka humbur shansin për liberalizimin e vizave. Është mirë të rikujtojmë se personat kyç që ja kanë pamundësuar janë tani në kolltukun e Qeverisë dhe Presidencës, pra mos liberalizimi i vizave ka emër dhe mbiemër. Per më tepër, mbas humbjes së këtij shansi, shtetet anëtare të Bashkimit Europian e kanë shtyrë dhe keqpërdorur këtë situatë për qëllimet e veta të brendshme politike dhe kanë shfaqur një qëndrim racist ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Pyetje: A besoni se liberalizimi i vizave është i lidhur me dialogun Kosovë-Serbi?

Edon Cana: Ndërlidhja e liberalizimit të vizave me cilindo proces është një poshtërim tjetër që i bëhet Kosovës nga ana e shteteve të BE-së. Pra, qeveria në asnjë rrethanë nuk guxon të hyjë në këtë grackë dhe të jetë e qartë për këtë çështje: Kosova ka përmbushur kriteret formale dhe nuk pranojmë asnjë kusht shtesë. Është mirë të ceket që kushtet janë përmbushur shumë vite më parë dhe kjo qeveri s’ka asnjë meritë më të vogël në rast se liberalizohen vizat dhe siç e ceka më herët, Presidentja dhe Kryeministri së bashku me disa të tjerë janë arsyeja pse Kosova se ka sot liberalizimin e vizave dhe kjo nuk duhet të harrohet.

Pyetje: Fjalimi i djeshëm i Edi Ramës, a i ka bërë mirë apo dëm Kosovës?

Edon Cana: Edi Rama me paraqitjen e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ka filluar procesin e eksorcizmit të kesaj Asambleja nga Putinizimi i skajshëm i cili edhe dje u pa që ende ka prezencën tij përmes deklarimeve të asamblistëve. Në fakt Asambleja është institucioni më racist dhe anti- shqiptarë. Kur e shikoja  Presidentin e Asamablesë Tiny Cox, atëbotë kur është aprovuar Raporti i Dick Martyt ai ishte asamblist, se si skuqej gjatë fjalimit të Ramës sepse sigurt kujtonte ato fjalë të ndyra që i kishte thënë për Kosovën dhe luftën çlirimtare gjatë deklarimit të tij gjatë votimit të Raportit të Dick Martyt e ndjeva një kënaqësi të veçantë sepse mendoj se të gjithë ata të cilët kanë bërë deklarata të bujshme anti-shqiptare duhet të poshtërohen në mënyrë publike, pasi që ishin vegël e Putinit dhe Rusisë për vite të tëra dhe jo vetëm në rastin e Kosovës.

Pyetje: Si e shihni diplomacinë kosovare që nga ardhja e Qeverisë Kurti 2?

Edon Cana: Diplomacia e Kosovës është në pikën e saj më të ulët me ambasadat jo funksionale dhe një ministri e cila perballet me probleme themelore të funksionimit. Tendenca për ta politizuar çdo gjë ka krijuar një momentum negativ në drejtim të dobësimit të diplomacisë ndërsa sa i përket ministres faktet në terren flasin dhe mbas disa viteve, do të shihet se çfarë dëmi ju është shkaktuar diplomacisë dhe shtetit të Kosovës.

Pyetje: Ku e shihni problemin që janë bërë mbi dy vjet që Kosova nuk ka marr asnjë njohje dhe nuk është antarësuar në asnjë organizatë?

Edon Cana: Anëtarësimi në organizata nuk mund të ndodhë pa koordinimin me partnerët tanë dhe krijimin e një momentumi të brendshëm për një iniciativë për anëtarësim. Domethënë, çdo proces ishte deklarativ dhe pa punë të vështirë sistematike për të bindur aleatët se mund të bëhet anëtarësimi specifik në bashkëpunim me ata. Analizoni gjendjen nëpër ambasada dhe do të shihni se çfarë gjendje dhe kapacitete ka diplomacia e Kosovës. Shumë njerëz janë larguar dhe shumë persona shikohen si gogol brenda ministrisë për shkak të politizimit të skajshëm të Ministrisë.

/kosovalive.net/

Shpërndaje në

U Kopjua