Live

Escobari, lajmëtari kokëfortë që sfidoi Kurtin

18:32 / 08 Maj 2024

Nga Kosova Live

Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar në bashkëbisedimin e fundit me gazetarë para se të lërë këtë pozitë, i ka bërë një përmbledhje të shkurtër zhvillimeve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në bashkëbisedimin 30 minutash, Escobari ka treguar edhe arsyet se përse Kosova mund të dështojë për pranim në Këshillin e Evropës.

Ai ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë dështuar të përmbushin detyrimet e veta që morën me Marrëveshjen e Ohrit. Ka shtuar se shtetet evropiane druhen se formimi i Asociacionit pas anëtarësimit në KiE do të sillte vonesa.

“Në Ohër isha prezent ishin pajtuar që të gjitha elementet e asaj marrëveshjeje të implementoheshin. Kjo do të thoshte për Kosovën implementimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe për Serbinë që të mos bllokonte Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Fatkeqësisht, dy palët kanë dështuar të respektojnë këtë obligim. Por besoj se sapo të kthehet në binarë marrëveshja, rajoni do të jetë në pozicion më të mirë”, ka vlerësuar Escobar.

Ai i ka dërguar mesazh Kosovës që të dëgjojë dhe bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.

“E di se ka shqetësime në mesin e anëtarëve të caktuar se Asociacioni dhe disa kërkesa të tjera që janë bërë vazhdimisht në dy vjetët e fundit në lidhje me Asociacionin dhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e minoritet serb nuk janë përmbushur. Këto janë disa shqetësime se Kosova mund të mos marrë votat për Këshillin e Evropës. Në të njëjtën kohë, mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të dëgjojë partnerët e saj evropianë dhe të punojë me ta”, ka thënë Escobar.

Ai është pyetur nëse ka të përbashkëta Këshilli i Evropës dhe themelimi i Asociacionit.

“Këshilli i Evropës është për trajtimin e minoriteteve dhe Kosova ka marrë angazhime për trajtimin e minoriteteve. Ne nuk po kuptojmë se përse Kosova nuk po përmbush angazhimet e veta. Shqetësimi është se formimi i Asociacionit pas pranimit në KiE vetëm sa do të sillte vonesa”, ka thënë përfaqësuesi i lartë amerikan.

Escobari ka sqaruar se diplomatët përfaqësojnë politikat e qeverisë së tyre, kur është pyetur se përse Kurti ka mosmarrëveshje me disa diplomatë.

“Të gjithë diplomatët me të cilët është takuar përfaqësojnë politikat e qeverisë. Pra Kurti do të dëgjojë mesazhet e njëjta nga SHBA-ja, Gjermania, Franca. Ne jemi vetëm lajmëtarë të politikave kombëtare”, ka thënë Escobari.

Shmangia e Kurtit

Përplasja me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ishte e dukshme sivjet në lidhje me çështjen e ndalimit të dinarit në Kosovë. Në muajin mars, Escobari zhvilloi vizitë zyrtare dyditore në Kosovë. U shfaq shumë i afërt me presidenten Vjosa Osmani. Me të, mbajti konferencën e përbashkët teksa Osmanin e quajti “gardiane të marrëdhënieve Kosovë-SHBA”.

Këtë mesazh e përçoi vetëm një ditë para se të takohej me Kurtin më 15 mars. Qasjen që kishte me Osmanin, Escobari nuk e pati me kryeministrin. Ani pse qëndroi dy orë në takim, në fund zëvendësndihmës Sekretari i SHBA-së doli në konferencë vetëm me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier.

Escobar e përsëriti edhe nga Prishtina se marrëdhëniet Kosovë-SHBA ishin duke u sfiduar nga Kurti.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kishte deklaruar se SHBA-ja është e zhgënjyer me qeverinë e udhëhequr nga Vetëvendosja e Kurtit.

“Nuk është hera e parë, këtë ua them. Dhe, ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosje – jo vetëm në Uashington, por në Bruksel, në Romë, Berlin dhe Paris gjithashtu. Ne, përderisa i afrohemi 25-vjetorit të aksionit të NATO-s, është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që forca e marrëdhënies ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes njerëzve”, kishte thënë Escobar.

Kishte shtuar se “Ne gjithmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi dallime me individë dhe me qeveri individuale”.

Më 6 maj, Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar se Escobar do të marrë detyrë të re gjatë javëve të ardhshme.

Departamenti i Shtetit ka njoftuar se si të gjithë zyrtarët e karrierës që janë pjesë e Shërbimit të Jashtëm, do të ndërrojë detyrën e tij, me rotacion, çdo katër vjet, si praktikë e rregullt.

Shpërndaje në

U Kopjua