Live

Gashi: Kurti po mashtron qytetarët, krijoi autonomi territoriale për serbët në Kosovë

21:39 / 23 Mars 2023

Nga Kosova Live

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se kryeministri, Albin Kurti po e mashtron Kuvendin dhe qytetarët për nenin shtatë të marrëveshjes së dakorduar me Serbinë, ku flitet për vetëmenxhim.

Gashi në seancën e sotme të Kuvendit, tha se Kurti është i vetmi lider që ka mundur të krijojë autonomi territoriale vetëqeverisje për komunitetin serb në Kosovë.

“Kryeministri po e mashtron Kuvendin dhe qytetarët e Kosovës, duke iu referuar Konventës kornizë për të drejtat e komuniteteve të Këshillit të Evropës, ku në fakt bëhet fjalë për kartën e vetëqeverisjes lokale, e cila merret me decentralizimin, delegimin territorial, administrativ dhe fiskal. Për secilin nen të këtyre dy dokumenteve unë mundem me iu referuar kartës për vetëqeverisje lokale. E sfidoj kryeministrin që Konventën Kornizë le të gjejë një referencë për secilat pika të këtyre dy dokumenteve”, tha ai.

Ai renditi disa nga dilemat e tij për marrëveshjen kornizë bazë me Serbinë dhe aneksin e zbatimit të tij.

“Jeni i vetmi person në këtë vend që keni mundur me shkelë përmbi institucionin e juaj të quajtur zajednicë dhe për të krijuar autonomi territoriale vetëqeverisje për komunitetin serb në Kosovë”, shtoi Gashi.

Shpërndaje në

U Kopjua