Zëvendës shefi i misionit të ambasadës gjermane në Beograd, Carsten Meyer-Wiefhausen tha sot se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk është i mundur nëse listat e kandidatëve për zgjedhjet që Kosova planifikon t’i mbajë në katër komuna në veri të Kosovës nuk janë dorëzuar.
“Është një çështje krejtësisht praktike. Nëse nuk keni zyrtarë, kryetarë komunash, nuk mund të krijoni një komunitet komunash. Pa njerëz në to, nuk keni institucione. Ju duhen ato institucione. Kaq e thjeshtë është”, tha diplomati gjerman i pyetur për pasojat e mundshme nëse listat e kandidatëve nuk dorëzohen brenda afatit, në panelin e diskutimit “Asgjë në mes – Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës”, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”, transmeton Klankosova.tv.
Afati i caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës për aplikimin e kandidatëve për zgjedhjet që planifikohen të mbahen në katër komuna në veri të Kosovës në fund të muajit prill është shtyrë disa herë dhe skadon sot.
Lista Serbe ka përsëritur sot se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komuna në veri të Kosovës derisa të formohet Asociacioni dhe derisa të gjitha njësitë speciale të Kosovës të tërhiqen nga ajo zonë.
Koordinatori i Grupit Punues të NKEU-së për Kapitullin 35 në Serbi, Dragisha Mijaçiq tha, në të njëjtin panel, se akti i mosdorëzimit të listave është simbolik, se vetëm e shtyn realizimin e marrëveshjes së arritur, e cila e zgjat procesin e përparimit të Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Së pari duhet të ndryshojë retorika rreth marrëveshjes, sepse duhet të komunikohen më shumë përfitimet sesa problemet, e më pas gjithçka që lidhet me integrimin në BE. Çdo integrim në BE do të marrë shumë kohë”, tha Mijaçiq.
Meyer-Wiefhausen tha gjithashtu se liderët e Serbisë dhe Kosovës në Ohër më 18 mars kanë pranuar të gjitha dispozitat e aneksit për zbatimin e marrëveshjes dhe se duhet të punojnë në zbatimin e saj hap pas hapi.
Paneli “Asgjë në mes – Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës” u organizua nga Lëvizja Evropiane në Serbi dhe Fondacioni Friedrich Ebert.