Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar heronjtë e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, që ranë po më 17 janar, 41 vjet më parë.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin ideatorë të lëvizjes kombëtare për liri.
“Ideatorë të lëvizjes kombëtare për liri e pavarësi që bashkuan dhe prinë shqiptarët drejt çlirimit, deri në frymën e tyre të fundit”, ka shkruar Haradinaj.
Postimi i plotë i Haradinajt:
17 janari i lidhë tre viganët e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvallen dhe Kadri Zekën, me Gjergj Kastriotin, në të njëjtën nyje – flijimin për atdhe. Sot përkujtojmë dy ngjarje në dy periudha të ndryshme, me personazhe që kanë pasur një qëllim, mbrojtjen e Shqipërisë. Zemra e themeltarit të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pushoi së rrahuri më 17 janar 1468. Gjenerali që është frymëzim për secilin shqiptar e trashëgimia e së cilit frymëzoi përpjekjet tona për liri përgjatë shekujve. Po ashtu, sot kujtojmë heronjtë e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, që ranë po më 17 janar, 41 vjet më parë. Ideatorë të lëvizjes kombëtare për liri e pavarësi që bashkuan dhe prinë shqiptarët drejt çlirimit, deri në frymën e tyre të fundit. Ata ranë, por lanë trashëgim te mijëra të tjerë, planet e lirisë. Ata ishin arkitektët e saj.