Ramush Haradinaj, bashkë me kolegë të tij në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka shkuar për vizitë në Aleancën Kosovare të Bizneseve.
Aty, Haradinaj ka thënë se bizneset prodhuese janë para kolapsit, ndërkaq bizneset e vogla po përballen me sigurimin e mbijetesës.
“Fatkeqësisht, gjatë mandatit të kësaj qeverie, roli i saj në zhvillimin ekonomik, nuk është ndjerë mjaftueshëm. Bizneset vendore po përballen me vështirësi të shumta, të cilat po rrezikojnë funksionimin e tyre e shumë nga ato po përballen me rrezikun për mbijetesë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
“Bizneset prodhuese janë para kolapsit. Bizneset kanë rritje të kostos së prodhimit për shkak të rritjes enorme të çmimeve të lëndës së parë”.
Po ashtu, Haradinaj ka shkruar në Facebook edhe për inflacionin.
“Inflacioni i shkaktuar nga rritja e çmimeve të energjisë dhe naftës, prodhuesit vendorë i ka sjellur në pozitë të pa barabartë në treg me prodhuesit konkurrentë nga vendet e tjera”.
“Bllokimi i investimeve publike e ka goditur rëndë ekonominë. Vonesa e Ligjit të Pagave ka sjellë varfërimin e një shtrese të popullsisë e si pasojë zvogëlimin e fuqisë blerëse në treg”, ka thënë ai.