Live

Hija e Rambujesë në takimin 18 marsit në Ohër, a do të ketë nënshkrim historik?

13:52 / 10 Mars 2023

Nga Kosova Live

Takimi i ardhshëm për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë është caktuar të jetë në përvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë. Nuk dihet nëse kjo është rastësi, por edhe këtë 18 mars, diçka e rëndësishme pritet të nënshkruhet mes dy shteteve, që as pas 24 vitesh nuk i normalizuan raportet. Këtë herë pala kosovare, e përfaqësuar krejtësisht nga Albin Kurti, është e gatshme të nënshkruajë.

Takimi i ardhshëm Kosovë-Serbi, ku Kryeministri Albin Kurti insiston që të nënshkruhet marrëveshja mbi bazën e propozimit evropian, mbahet më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë Veriore.

Njëzetekatër vjet më parë, në po atë datë, pra më 18 mars, është nënshkruar Marrëveshja e Rambujesë, dështimi i së cilës i hapi rrugë bombardimeve të NATO-s.

Edhe atëherë, pala kosovare ishte bindur me vështirësi që ta nënshkruante Marrëveshjen. Atëherë delegacionin e përbënin figura kundërthënëse me njëra-tjetrën, si Presidenti Ibrahim Rugova dhe udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, të shoqëruar nga një ekip i larmishëm politik. Tani negociatat në emër të Kosovës i bën Kryeministri Albin Kurti me vartës të tij, i cili është i gatshëm dhe kërkon që më 18 mars të nënshkruhet marrëveshja “bazë” për normalizimin e raporteve me Serbinë. Lideri i tanishëm kosovar ndodhi të jetë një prej kundërshtarëve më të mëdhenj të pranimit të marrëveshjes së Rambujesë. Asokohe Kurti ndodhej në “kampin” e Adem Demaçit që ishte zëdhënës i UÇK-së, të cilin, për marrëveshjen e Rambujesë s’kishte arritur ta bindte as Sekretarja Madeleine Albright. Kur i kishte shkruar kujtimet diplomatja amerikane kishte thënë se biseda me Demaçin ishte më rrëqethësja që e kishte pasur ndonjëherë, për shkak të refuzimit të tij.

Kurti e ka pranuar propozimin evropian, që në fakt është sponsorizuar nga i gjithë fronti perëndimor. Por, para se ta pranonte, i kishte shprehur rezervat e tij. Aprovimi i të ashtuquajturit plani franko-gjerman do të thoshte se pranohet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara më herët mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Po ashtu, në preambulën dhe 11 nenet e propozimit evropian nuk përmendet askund njohja reciproke mes dy shteteve, që ishte – është – qëllimi kryesor i deklaruar nga Kryeministri Kurti.

Thuhej se pala serbe nuk po e pranonte planin franko-gjerman, kur ai iu propozua palëve, në shtatorin e 2022-s. Megjithatë, në fund, edhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dha aprovimin e tij, ndonëse në takimin e 27 shkurtit, sipas Kurtit, ai nuk deshi ta nënshkruante tekstin e propozimit.

Nuk dihet nëse për marrëveshjen e pranuar tani do të ketë një rrëfim të ngjashëm si ajo e pranimit të Marrëveshjes së Rambujesë. Hezitimet për nënshkrimin e saj ishin në konferencën së atëhershme, ndërsa dilemat nëse ajo duhej të nënshkruhej ose jo shfaqen edhe sot, pas 24 vitesh. Një prej këtyre dilemave është se çfarë do të ndodhte po ta nënshkruante atë dokument edhe lideri serb, Sllobodan Millosheviq.

Christopher Hill, ambasadori i sotëm i SHBA-së në Serbi, ishte instrumental për zhvillimet që do të ndodhnin pasi delegacionet u larguan nga kështjella franceze.

“E pashë se [Rambuje] ka pak shanse të funksionojë dhe vendosa që ajo që na duhet është një miratim shqiptar i dokumentit dhe refuzimi serb. Nëse të dyja do të refuzonin, nuk do të ketë aksion të mëtejmë të NATO-s, apo të ndonjë organizate tjetër për çështjen”.

Ish-diplomati amerikan, Henry Kissinger, ai që njihej si praktikues i realpolitikës, kishte thënë se marrëveshja e Rambujesë ishte hartuar që të dështonte. Ishte hartuar e atillë, që Millosheviqi të mos e pranonte dhe NATO-ja ta bombardonte Serbinë.

Dukagjin Gorani, që ishte pjesë e delegacionit kosovar në Konferencën e Rambujesë, pat thënë se e kishin pranuar marrëveshjen “për ta shpëtuar krytë”.

“S’ka qenë ndjenjë e mirë që po e pranon një marrëveshje, ku Kosovës po i ndahet një status special. Mirëpo ka qenë ndjenjë absolutisht e mrekullueshme, kur Millosheviqi ka thënë se nuk e nënshkruaj”, kishte thënë Gorani në dy vjet më parë, në përvjetorin e Marrëveshjes së Rambujesë.

Studiuesi Shkelzen Gashi, ish-bashkëpunëtor i afërt i Kryeministrit Kurti, thoshte se pala kosovare nuk duhet ta shesë nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë si “pavarësim”. Sipas tij, nënshkrimi i marrëveshjes nuk duhej të deklarohej si triumf, por pak a shumë si qëndrimin i ish-liderit boshnjak, Alija Izetbegoviq, që kur e ka nënshkruar Marrëveshjen e Dayton-it, ka thënë “E piva një gotë helm, por nuk kisha zgjidhje tjetër”.

Aneksi ushtarak, sipas të cilit trupat e NATO-s do të hynin në territorin e Jugosllavisë pa tatim dhe pa asnjë detyrim tjetër, ishte pjesa që konsiderohet se detyroi Millosheviqin të mos e pranonte marrëveshjen, dhe rrjedhimisht të niste bombardimi pak ditë më vonë. Nga delegacioni kosovar është thënë se ekzistonte një garanci që edhe po ta nënshkruante Kosova marrëveshjen, pjesa politike e së cilës nuk përkonte me kërkesat e palës kosovare, lideri serb do ta refuzonte. Gorani kujtonte se “aneksi ushtarak” i është dorëzuar palëve në ditët e fundit të konferencës dhe u ishte dhënë “si njoftim, e jo si negocim”.

Në takimin e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë do të diskutohet për një aneks, që dallon shumë prej “ankesit të Rambujesë”. Palët tani do të diskutojnë për planin e zbatimit, i cili, nuk dihet nëse palëve do t’u ofrohet me ultimatumin “merre ose lëre”, siç ndodhi në fund me propozimin evropian. /Express

Shpërndaje në

U Kopjua