Live

“I nderuar gjeneral” – ndryshe nga Osmani e Kurti, Konjufca e përshëndet Sami Lushtakun në seancën për Ilaz Kodrën

11:07 / 02 Maj 2024

Nga Kosova Live

Një seancë solemne e Kuvendit po mbahet në nderim të Ilaz Kodrës, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ra dëshmor para 25 vjetësh.

Krerët e shtetit folën në nderim të Ilaz Kodrës dhe luftës çlirimtare në seancën ku të pranishëm ishin edhe bashkëluftëtarë të Ilaz Kodrës, sikur ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku.

Për dallim prej presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca zgjodhi ta përshëndes edhe Sami Lushtakun, raporton Gazeta Express.

“E nderuar presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani Sadriu, i nderuar kryeministër Kurti, e nderuara familje e heroit tonë Ilaz Kodra, të nderuar deputetë, zëvendëskryeministra e ministra të kabinetit qeveritar, të nderuar përfaqësues të shoqatave të dalura nga lufta e UÇK-së, i nderuar kryetar i Skënderajt, z. Fadil Nura, i nderuari komandant i Zonës Operative të Drenicës, gjeneral Lushtaku”, tha Konjufca në krye të fjalës së tij.

Presidentja, paraprakisht, nuk e specifikoi Lushtakun.

“I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca, i nderuar kryeministër i Republikës, z. Kurti, të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, të nderuar deputetë, e nderuar familje Kodra, të nderuara familje të dëshmorëve e martirëve, të nderuara shoqata të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nderuar pjesëmarrës”, tha ajo në nisje të fjalës së saj.

Atë s’e bëri as kryeministri Albin Kurti.

“E nderuar presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani Sadriu, i nderuari kryetar i Kuvendit të republikës së Kosovës, zoti Glauk Konjufca, të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministra e ministra të Qeverisë së Kosovës, të nderuara familje të heronjve të Kosovës, e nderuara familje Kodra, e nderuara familje Bunjaku, e nderuara familje Konushevci, i nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë, të nderuar diplomatë e miq ndërkombëtarë, të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës çlirimtare, të nderuar udhëheqës e përfaqësues të institucioneve tona shtetërore, të dashur qytetarë të Kosovës, zonja dhe zotërinj”, tha Kurti.

Shefi i Qeverisë e përmendi emrin e Lushtakut vetëm në mesin e emrave të bashkëluftëtarëve të Ilaz Kodrës që i lexoi dhe për të cilët tregoi se “organizuan aksione dhe aktivitete” në luftë.

Shpërndaje në

U Kopjua