Opinionisti Ilir Ibrahimi ka thënë se kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës për punën e targave ka qenë e qartë. Ai ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk është i gatshëm të shkojë para me një marrëveshje në procesin e dialogut.
“Nuk është puna e targave, nëse sot janë targat nesër mund të dalë diçka tjetër e diçka tjetër. Sepse me Serbinë ndoshta ka me dhjetëra probleme teknike të cilat priten të zgjidhen përmes një marrëveshjeje të përgjithshme. Kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë shumë e qartë që të mos vendosen gjëra të tilla të thjeshta teknike si stërkamsa të dialogut, por jepini hapësirë dialogut që të arrihet kjo marrëveshje, sepse e kemi një momentum, ka ardhur nga nivelet më të larta nga Sekretari i Shtetit”.
“Nëse mendojmë se sekretari i shtetit nuk është zyrtar mjaftueshëm i lartë për Kosovën dhe ne duhet të tregojmë dinjitet dhe të tregohemi sovranist. Atëherë, ne as nuk e dimë historinë se si është themeluar Kosova si është formuar dhe si ka ardhur deri këtu, apo duam t’i harrojmë, apo me të vërtetë jemi futur në një kurs vetshkatërrues në relacionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Shenjat e para kanë ardhur nëse këto mund të quhen qortimet ndaj pozitës, vetëm zyrtarëve të një partie politike u është kërkuar që të mos udhëtojnë në ShBA, u është thënë keni krizën andaj duhet të rrini këtu. Nuk është puna të targat, puna është që nuk ka gatishmëri nga kryeministri Albin Kurti që të shkojë përpara me një marrëveshje”, ka thënë Ibrahimi.