Më 24 nëntor 2022, është caktuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor në rastin ku kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, si dhe tre të akuzuarit tjerë Shahin Maliqi, Besim Ismajlaj dhe Feim Maliqi, po akuzohen se në tetor të 2020-ës, në Kamenicë, përballë shkollave të mesme, kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Një gjë të tillë, për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra.
“Seanca mbahet më datë 24.11.2022”, ka thënë zëdhënësi Shkodra, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, në prill të këtij viti, kryetari Rahimaj, si dhe të akuzuarit tjerë Maliqi dhe Ismajlaj, përmes mbrojtësve të tyre, kanë paraqitur kërkesa për negocim në Prokurorinë Themelore në Gjilan për të hyrë në marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, mirëpo një marrëveshje e tillë nuk ka ndodhur.
Më 29 tetor 2020, në seancën fillestare katër të akuzuarit e kishin mohuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohen.
Ndërkaq, ata përmes mbrojtësve të tyre përkatës kishin bërë kërkesa për hudhje të aktakuzës, të cilat kërkesa i kishte refuzuar Gjykata e Kamenicës.
Kurse, ankesë kundër këtij vendimi të Themelores kishte bërë i akuzuari Besim Ismajlaj përmes mbrojtësit të tij, avokatit Granit Mavriqi, të cilën ankesë e kishte refuzuar Gjyakata e Apelit.
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 12 tetor 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Kadri Rahimajt, Shahin Maliqit, Besim Ismajlajt dhe Feim Maliqit, me arsyetimin se ata më 5 tetor 2020, në Kamenicë, përballë shkollave të mesme, kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Sipas prokurorisë, si pasojë e pakënaqësisë së reformave në arsim, kanë organizuar një protestë të paparalajmëruar, ku e kishin bllokuar rrugën duke i vënë fëmijët përpara dhe pas tentimit nga policia për ta liruar atë, të njëjtit kanë kapur fëmijët e tyre duke i detyruar që të dalin para veturave të policisë, të hypnin mbi këto vetura dhe tërë kohën kanë goditur me duar në njërën veturë policore.
Tutje, në aktakuzë thuhet se të akuzuarit për një kohë të gjatë kanë bllokuar këtë veturë, pastaj gjithnjë duke i nxitur fëmijët kanë arritur para objektit të komunës ku kanë shtyrë ata që të futen në këtë objekt duke e hapur me forcë portën dhe duke i futur disa fëmijë brenda rrethojave të objektit si dhe përmbi rrethoja derisa kanë arritur që t’i fusnin të gjithë fëmijët brenda objektit të komunës.
Me këtë, Kadri Rahimaj, Shahin Maliqi, Besim Ismajlaj dhe Feim Maliqi po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 401, paragrafi 5 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej një deri në pesë vjet.