Live

Këto ishin disa nga kritikat e Thaçit për BE-në, Borrellin e Lajçakun: BE-ja i bllokon shtetet bashkëpunuese, ndërsa i shpërblen ato shantazhuese

22:55 / 21 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Nuk ishin të rralla kritikat e ish-presidentit Hashim Thaçi ndaj politikave të BE-së dhe Borrellit e Lajçakut.

Thaçi e kritikonte BE-në për standarde të dyfishta, ku shtetet bashkëpunuese i bllokonte, ndërsa shtetet shantazhuese i shpërblente.

Kur Borrell kishte vendosur që ta emëronte Lajçakun si emisar special për dialogun Kosovë-Serbi, Thaçi i kishte kërkuar BE-së që të mos e ulnin nivelin e përfshirjes në dialog me emisar pa kredibilitet.

Ish-presidenti Thaçi kishte thënë se nuk merr pjesë në negociata që udhëhiqen nga ai.

“Personalisht, si President, do t’i përgjigjem ftesave nëpër samite të udhëhequra nga Merkeli, Macroni etj, por nuk do të marrë pjesë në procese të negociatave që udhëhiqen nga Lajçaku. Personalisht nuk jam në kontakt me Lajçakun dhe nuk e di sa larg kanë shkuar bisedimet Lajçak-Kurti-Borrel”.

Thaçi kishte thënë se ka besim të plotë në lidershipin e SHBA-së se do ta përmbyllin me sukses dialogun të cilët, sipas tij, duhet të kenë rol udhëheqës.

Ai fliste vazhdimisht për mosunitetin evropian, duke përmendur edhe votën kundër Kosovës që Lajçak e kishte bërë në UNESCO.

“Kush garanton që Lajçak vjen në Prishtinë dhe e mbështesin të gjitha shtetet e BE-së. Këtë mosunitet evropian të Brukselit, këtë qasje të gabuar, emërimi i një personaliteti të tillë është gabim strategjik. Është preferencë e gabuar në procesin mes Kosovës dhe Serbisë”, kishte thënë Thaçi, duke propozuar dikë që e ka njohur Kosovën në këtë pozitë.

“Brukseli me emërimin e tillë të një emisari nga një shtet që nuk e njeh Kosovën është gabim strategjik. Lajçak është miku i im, por është referencë e gabuar e BE-së në mes të një procesi të ndjeshëm mes Kosovës dhe Serbisë ta vendos atë. Pse nuk propozohet dikush nga një vend që e ka njohur Kosovën”, kishte thënë Thaçi.

“I kam thanë Lajçakut, në konferencën e sigurisë në Munich: “Miku im, kjo do të jetë një punë e mirë për juve, por ju nuk mund të arrini marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Pikë”, kishte shtuar ai.

Ndërsa, në një replikë kundër Lajçakut, Thaçi kishte shkruar edhe status si kundërpërgjigje.

“I dashur ish-kolegu im Mirosllav Lajçak, ndihmo që Sllovakia ta njohë Kosovën së pari – ose së paku si kryesues i OSBE-së, na lejo të kemi zë në OSBE në Vjenë – para se të jepni këshillë kaq bujare për Kosovën. Pavarësia jonë, ushtria jonë dhe barazia jonë në Evropë janë të panegociueshme”, kishte shkruar Thaçi në Twitter.

Ish-presidenti Thaçi kishte thënë se BE-ja duhet t’i përkrahë të gjitha përpjekjet që çojnë kah arritja e marrëveshjes historike dhe të punojë me partnerë që japin rezultate, duke mos humbur kohë me njerëz që nuk mund të arrijnë asnjë rezultat.

“Bashkimi Evropian duhet t’i japë peshë politike përfshirjes së vet në dialogun Kosovë-Serbi. Duke ulur nivelin dhe përgjegjësinë në një emisar pa kredibilitet nuk i ndihmon këtij qëllimi. BE’ja duhet t’i përkrahë të gjitha përpjekjet që çojnë kah arritja e marrëveshjes historike dhe të punojë me partnerë që japin rezultate”, kishte shkruar Thaçi.

Shpërndaje në

U Kopjua