Live

Konjufca ia thotë në sy Escobarit: S`mund të krijohet asnjë Asociacion që cenon pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës

14:33 / 28 Mars 2023

Nga Kosova Live

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca gjatë vizitës në SHBA ka takuar përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas një njoftimi që e ka bërë vet kryetari i Kuvendit me diplomatin amerikan kanë diskutuar për marrëveshjen e Ohrit dhe zhvillimet e tjera politike në vend.

“Ritheksuam qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Konjufca.

Njoftimi i plotë:

Sot, në kuadër të vizitës sime zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Ëashington DC, Ilir Dugolli dhe Shefi i Stafit, Ilir Kërçeli, takova Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njëherësh Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, z.Gabriel Escobar.
Në takimin përmbajtësor me z.Escobar diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e Ohrit, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Ritheksuam qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Ndamë pikëpamje të njëjta që të vazhdojmë të punojmë së bashku për agjendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shpërndaje në

U Kopjua